LAJME

Doku Festi e mbylli edhe një edicion të suksesshëm: Kurti ndan çmimin për filmin më të mirë

Doku Festi e mbylli edhe një edicion të suksesshëm: Kurti ndan çmimin për filmin më të mirë
TV Prizreni
TV Prizreni
16 Gusht 2026, 08:51

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë përmbyllëse të edicionit të 25-të të festivalit ndërkombëtar të filmit të shkurtër dhe dokumentar DokuFest, e cila u mbajt mbrëmë në Prizren.

Kurti ndau çmimin për filmin më të mirë në garën kombëtare, i cili këtë vit iu dha filmit “Në kërkim të poezisë”, me regji të regjisorit shqiptar Lorin Terezi.

Në fjalën e tij, Kurti tha se gjatë nëntë ditëve të festivalit, në shtatë kinema janë shfaqur gjithsej 223 filma, ndërsa 114 prej tyre kanë qenë në garë në tetë kategori të ndryshme. Ai uroi fituesit dhe pjesëmarrësit e edicionit jubilar, duke vlerësuar rolin e DokuFest-it në promovimin e kinematografisë dhe kulturës në Kosovë.

Në ceremoninë përmbyllëse ishte e pranishme edhe ministrja në detyrë e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, e cila e cilësoi edicionin e 25-të si një tjetër sukses për festivalin dhe qytetin e Prizrenit.

Bogujevci tha se pas nëntë ditësh, DokuFest-i e përmbylli një edicion të jashtëzakonshëm, duke bërë që filma, autorë, mysafirë dhe publik nga vende të ndryshme të botës të bëheshin pjesë e qytetit të Prizrenit.

Sipas saj, në këtë edicion jubilar, 104 filma në garë, programi i pasur dhe atmosfera në qytet dëshmuan për rritjen dhe rëndësinë që festivali ka ndërtuar ndër vite.

Ministrja në detyrë e Kulturës dhe Turizmit ka uruar ekipin e DokuFest-it për punën dhe përkushtimin, si dhe të gjithë fituesit dhe kontribuuesit e këtij edicioni.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika