LAJME

Dogana dhe Policia zbulojnë 2.162 kilogramë marihuanë në Vërmicë

Dogana dhe Policia zbulojnë 2.162 kilogramë marihuanë në Vërmicë
TV Prizreni
TV Prizreni
10 Shtator 2026, 07:10

Dogana e Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka parandaluar një rast të dyshuar të kontrabandimit të substancave narkotike në Pikën e Kalimit Kufitar në Vërmicë.

Sipas njoftimit të Doganës, rasti është zbuluar më 9 shtator 2026, gjatë kontrollit të një autobusi me udhëtarë që po hynte në territorin e Kosovës. Zyrtarët doganorë kanë ndaluar autobusin për kontroll fizik të automjetit dhe bagazheve.

Gjatë intervistimit, njëri prej udhëtarëve nuk ka deklaruar se kishte mallra apo sende për të deklaruar. Megjithatë, gjatë kontrollit të çantës së tij të krahut, zyrtarët kanë gjetur një qese plastike me një substancë të dyshuar narkotike.

Pas peshimit, sasia e substancës së dyshuar si marihuanë ka rezultuar 2.162 kilogramë.

Autobusi është kontrolluar edhe përmes skanerit, por sipas Doganës, nuk janë evidentuar parregullsi të tjera.

Për rastin është njoftuar Policia e Kosovës, ndërsa personi dhe substanca e dyshuar janë proceduar te organet kompetente për veprime të mëtejshme ligjore.

Dogana ka bërë të ditur se, në bashkëpunim me Policinë dhe institucionet e tjera, do të vazhdojë angazhimin në parandalimin dhe luftimin e kontrabandës dhe trafikimit të substancave narkotike.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika