LAJME

Diskutohet shkëmbimi elektronik i të dhënave ndërmjet Inspektoratit Policor të Kosovës dhe prokurorive

Diskutohet shkëmbimi elektronik i të dhënave ndërmjet Inspektoratit Policor të Kosovës dhe prokurorive
TV Prizreni
TV Prizreni
27 Prill 2026, 10:59

Kryesuesi i Komisionit për Çështje Normative të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Visar Krasniqi, i shoqëruar nga udhëheqësi i Departamentit të Teknologjisë Informative, Nexhat Haziri, kanë mbajtur sot një takim me kryeshefin e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), Kushtrim Hodaj.

Sipas njoftimit, qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi i shkëmbimit elektronik të të dhënave ndërmjet IPK-së dhe prokurorive përmes Sistemit për Menaxhimin Informativ të Lëndëve (SMIL).

“Ky proces synon rritjen e efikasitetit dhe transparencës, si dhe mundësimin e digjitalizimit të plotë të shkëmbimit të të dhënave ndërmjet institucioneve të drejtësisë dhe atyre të zbatimit të ligjit” – thuhet në njoftim.

Siç bëhet e ditur, gjatë takimit, Krasniqi dhe Hodaj, theksuan rëndësinë e këtij transformimi digjital si një hap i domosdoshëm për përshpejtimin e procedurave hetimore dhe administrative, koordinimin më të mirë ndërmjet IPK-së dhe sistemit prokurorial, si dhe eliminimin e barrierave teknike në menaxhimin e lëndëve.

Në përmbyllje të takimit, thuhet se bashkëbiseduesit u pajtuan që në takimet e radhës të trajtohen modalitetet teknike dhe hapat konkretë që duhet të ndërmerren për realizimin e shkëmbimit elektronik ndërmjet institucioneve.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika