Rüdiger von Fritsch ka qenë ambasador i Gjermanisë në Moskë mes viteve 2014-2019. Ai konsiderohet si njohës i mirë i Rusisë. Në intervista dhe në librin e tij të ri ai analizon qasjen e gabueshme të Perëndimit ndaj Vlladimir Putinit. Me ton jodiplomatik Fritsch thekson se politika perëndimore ndaj Rusisë u dominua nga naiviteti, oportunizmi dhe injoranca.
Që nga 24 shkurti, kur shefi i Kremlinit Vlladimir Putini vendosi të sulmojë Ukrainën, Rusia ka humbur mijëra ushtarë. Përpjekja për të pushtuar Kievin dhe instaluar në kryeqytetin ukrainas një qeveri marionetë dështoi. Tani forcat e Putinit janë koncentruar në Ukrainën lindore, nga e cila përpiqen të shkëpusin sa më shumë territor që të jetë e mundur. Njëkohësisht Putin po përpiqet që duke provokuar një krizë urie të shkaktojë kriza në shumë vende aziatike dhe afrikane dhe kësisoj të provokojë një valë refugjatësh, të cilët do të destabilizonin Evropën, thotë ish-ambasadori gjerman në Rusi Rüdiger von Fritsch.
Kalkulimi i Putinit, sipas von Fritsch, është që të bllokojë furnizimet me drithë dhe për pasojë njerëzit e uritur të marrin rrugën drejt Evropës – si atëherë kur miliona sirianë ikën nga tmerret e luftës. Për këtë arsye Rusia po e pengon Ukrainën të eksportojë drithë dhe po i bombardon siloset me drithë. “Me valë të reja refugjatësh ai dëshiron të destabilizojë Europën dhe të shtojë presionin politik. Kjo është luftë hibride”, tha ai për gazetën gjermane “Tagesspiegel”. Me luftën hibride nënkuptohet përdorimi i mjeteve joushtarake siç janë sulmet kibernetike apo fushatat me lajme të rrejshme.
Ukraina është ndër eksportueset më të mëdha të drithit në botë. Për shkak të sulmeve ruse eksporti nga portet ukrainase është ndërprerë. Sipas të dhënave të qeverisë gjermane, Rusia po bllokon eksportin e 20 milionë tonelatave drithë në Afrikën veriore dhe në Azi, pjesa më e madhe e drithit gjendet në portin e Odesës.
Presidenti ukrainas Vollodimir Zelenski tërhoqi vërejtjen gjatë fundjavës se botën e pret një krizë e ushqimit nëse Rusia vazhdon bllokadën e porteve ukrainase. Në fillim të majit televizioni amerikan NBC News raportoi se Zelenski ka kërkuar nga ligjvënësit amerikanë raketa moderne kundër anijeve për të zhbllokuar portet ukrainase.
Rüdiger von Fritsch ka botuar ditë më parë një libër me titullin “Pika e kthesës. Lufta e Putinit dhe pasojat” (“Zeitenwende. Putins Krieg und die Folgen”). Në këtë vepër të shkruar në afat rekord dhe të lavdëruar nga mediat gjermane, Rüdiger von Fritsch analizon Vlladimir Putinin, “sistemin Putin”, rolin e turpshëm të Perëndimit, rrugën drejt luftës në Ukrainë dhe pasojat e mundshme, shkruan “Süddeutsche Zeitung” në një recension.
Rüdiger von Fritsch e ka takuar Putinin disa herë. Ai shkruan se Putini mbetet i fiksuar në humbjen e Bashkimit Sovjetik, të cilën e ka quajtur “katastrofën më të madhe gjeopolitike të shekullit të 20-të”. Me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik për Putinin mori fund perandoria ruse dhe “kësisoj edhe perandoria e fundit e madhe kolonialiste e globit”. Rüdiger von Fritsch shkruan: “Me këtë humbje Putin nuk mund të pajtohet”. Me sulmin kundër Ukrainës Putini iu kthye refleksit imperialist.
Fritsch thekson se veprimin e Putinit nuk duhet quajtur irracional, “mendësia e tij ndjek një racionalizëm, i cili është ndryshe nga ai yni”. Karriera e Putinit karakterizohet nga e kaluara e tij në KGB, në shërbimin sekret sovjetik. Njëherë në KGB, përherë në KGB, citohet të ketë thënë Putini. “Në bisedat me të shihej vazhdimisht prirja që gjithçka të seleksionohet në kategori mendore të cilat mishërohen nga akuzat, teoritë e komplotit dhe kërcënimet”, nënvizon ish-ambasadori gjerman. “Në disa biseda në Moskë pas aneksimit të Krimesë më 2014 unë kisha përshtypjen se ne kemi marshuar në Krime dhe jo Rusia”. Kjo është loja e vjetër sovjetike dhe ruse e rrotullimit të fajit.
Rüdiger von Fritsch hedh poshtë mitet se Rusia është e kërcënuar nga Perëndimi. Sipas tij pushteti i Putinit kërcënohet nga liria dhe demokracia, e cila gjallëron në Ukrainë. “Nga pikëpamja e polakëve dhe popujve baltikë, çekëve, sllovakëve, hungarezëve, rumunëve dhe bullgarëve, Bashkimi Europian dhe NATO-ja nuk janë zgjeruar drejt Lindjes – për më tepër ata synuan integrimin në Perëndim. Këtu luante rol shpresa për të gjetur mbrojtje në një aleancë të kombeve të lira, e cila pengon okupimin e ri sovjetik dhe represionin, që të mos jenë edhe njëherë viktima të Rusisë imperialiste”.
Rüdiger von Fritsch konsideron se politika e Perëndimit ndaj Rusisë ka qenë e mbizotëruar nga naiviteti, oportunizmi dhe injoranca. Shumë rusë, shkruan diplomati gjerman, janë të një mendimi me Putinin ngase besojnë se vendi i tyre nuk merret sa duhet parasysh nga Perëndimi, njëkohësisht rusët e shohin veten superiorë ndaj dekadencës, rrënimit dhe hedonizmit të Europës së vjetër dhe Amerikës veriore.
Kështu mund të injorohen humbja e fuqisë dhe hallet e përditshmërisë. Rusia, nënvizon Fritsch, nuk e ka përjetuar as periudhën e Rilindjes perëndimore, as reformacionin, as iluminizmin, as krijimin e një shoqërie civile. Rusia “në të vërtetë është shtet me kulturë europiane, por në aspektin social dhe politik trashëgimtare e perandorisë së Xhingiz Kanit”, citon Fritsch politologun rus Sergej Karaganov.
Lufta e ka zgjuar Europën nga gjumi, shkruan Fritsch. Putini ia ka dalë të forcojë aleancën perëndimore, ndonëse qëllimi i tij ka qenë ta përçajë. Ai e ka nënçmuar reagimin e Ukrainës po aq sa edhe Perëndimin. Fritsch nuk beson se do të ketë ndryshime të shpejta në Rusi, por, sipas tij, agresioni rus ndaj Ukrainës ka një efekt pozitiv: “Atyre që na këshillonin se modeli i Putinit duhet të imitohet, tani për tani në demokracitë perëndimore u është shterur zëri”.