Rastet e dhunës në familje nuk po kanë të ndalur. Policia çdo ditë përmes raportit 24 orësh po publikon shifra shqetësuese të këtyre rasteve, ku kryesisht janë gratë ato që po pësojnë nga bashkëshortët e tyre.
E përveç dhunës, shpesh-herë mosmarrëveshjet brenda një familje po kalojnë edhe në vrasje. Viktima e fundit e dhunës në familje ishte Lirije Qerimaj, 48 vjeçarja nga Llausha e Skenderajt u vra nga bashkëshorti i saj, me armë zjarri.
Siç njoftoi Policia, çifti edhe me herët kishin pasur mosmarrëveshje. Përveç Lirije Qerimaj, nga dhuna në familje kanë pësuar shumë gra edhe gjatë vitit 2021 në Kosovë.
Kjo situatë po shihet shumë shqetësuese nga psikoterapeuti, Yll Avdijaj. Ai në një deklaratë për Telegrafin ka thënë se këto raste kërkojnë vëmendje serioze institucionale.
“Rastet e dhunës që po ndodhin kohët e fundit, padyshim se janë shqetësuese dhe kërkojnë një vëmendje serioze institucionale dhe profesionale. Siç e dimë, pandemia ka ndikuar negativisht në shumë sfera të jetës, e po ashtu edhe në gjendjen psiko-emocionale të njerëzve. Kjo dukuri, ka arritur të shpërfaqë shumë probleme si në aspektin politik, ekonomik e po ashtu edhe në rrafshin social, gjë që kjo e fundit shpesh herë po rezulton e dhimbshme, në momentin kur po cenohet dinjiteti dhe integriteti personal i individit në shoqëri”, u shpreh ai.
Avdijaj tha se “këto dukuri nuk është që nuk kanë ekzistuar edhe më herët, mirëpo dinamika e ngjarjeve, frika dhe shqetësimet e tjera psiko-emocionale që ka shkaktuar kjo gjendje, po rezulton edhe me sjellje të cilat po eskalojnë deri tek dhuna psikike, emocionale, fizike e po ashtu edhe kërcënimi i jetës së individit”.
Duke folur për dhunën në familje, Avdijaj thekson se një rol të madh e ka edhe sistemi tradicional.
“Një rol të madh ka edhe aspekti socio-kulturor në shoqërinë tonë, sistemi tradicional, e që shpeshherë në një farë mënyrë sikur e aprovon dhunën dhe e miraton atë. Kjo direkt apo indirekt i kontribuon zhvillimit të një modeli të thellë të dhunshëm në shoqëri. Mesazhi që e përçon te të tjerët është se ‘qëllimi duhet arritur vetëm përmes dhunës’, e kjo gjë padyshim se lehtësisht mund të bëhet një lloj modelimi edhe për gjeneratat e ardhshme të reja”, potencoi ai.
Kurse, sa i përket profilit të dhunuesve, Avdijaj thotë se ata janë persona me çrregullime psikike.
“Nga rrafshi psikologjik, shikuar profilin e dhunueseve atëherë mund të themi se domosdo kemi të bëjmë me ndonjë person me çrregullime psikike, psiko-emocional, apo edhe konflikte të pazgjidhura me vetën, gjë që personi dhunues i projekton të të tjerët, deri në cenimin e të drejtës dhe dëmtimit të tyre. Në rrafshin psiko-social, mund të themi se mungon edukata dhe zhvillimi i vetëdijes së plotë mbi marrjen e përgjegjësive sociale, të cilat na ndihmojnë në mbajtjen e balancit shoqëror”, deklaroi ai.
Avdijaj mes tjerash tha se rastet e tilla të dhunës ndikojnë edhe te qytetarët duke krijuar frikë.
“Padyshim se rastet e tilla, te viktimat, familjarët normalisht që do të ndikojnë në traumatizmin e tyre, e po ashtu me një pasiguri edhe frikë edhe për qytetarët dhe audiencën e cila nis ditën duke lexuar vazhdimisht për raste të tilla që po ndodhin në shoqërinë tonë”, ka thënë mes tjerash ai.
Për vrasjen e Lirije Qerimajt ka pasur reagime të shumta, ndërkaq ditën e premte në Skenderaj ka pasur edhe një protestë paqësore kundër dhunës dhe vrasjes së grave.