LAJME

Detaje nga rasti i rëndë i 80-vjeçares në Prizren, paralajmërohet protestë në Prishtinë për të premten

Detaje nga rasti i rëndë i 80-vjeçares në Prizren, paralajmërohet protestë në Prishtinë për të premten
TV Prizreni
TV Prizreni
27 Gusht 2026, 08:52

Brenda vetëm një jave, Kosova është tronditur nga dy raste të vrasjes së grave, duke rikthyer në vëmendje problemin e dhunës dhe sigurisë së tyre.

Pas vrasjes së një gruaje shtatzënë në Malishevë, një tjetër grua, 80-vjeçare, u gjet e vdekur në orët e para të së mërkurës në Prizren.

Dy vrasje të grave brenda pak ditësh, e ku të dyshuar janë bashkëshortët kanë nxitur reagime dhe thirrje për trajtimin e dhunës ndaj grave si urgjencë kombëtare.

Për të premten, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka paralajmëruar protestë në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, me thirrjen “Vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare”.

Rasti tragjik në Prizren, 80-vjeçarja dyshohet se u vra nga burri i saj

Policia e Kosovës për rajonin e Prizrenit të mërkurën në mesditë ka bërë të ditur se një grua e moshës 80 vjeçare me inicialet L.D është gjet pa shenja jete rreth orës 01:30 në një shtëpi banimi në Prizren.

Lajmin për Telegrafin e kishte bërë të ditur zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

Sipas tij, në vendngjarje kanë dalë patrulla policore dhe ekipi i urgjencës mjekësore, të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës.

“Në shtëpi është hasur edhe bashkëshorti i saj, i cili është shoqëruar në stacionin policor. Pas ekzaminimit të vendit të ngjarjes nga hetuesit e policisë, forenzikës dhe ekspertët e mjekësisë ligjore, ka lindur dyshimi për veprën penale ‘Vrasje e rëndë’. Dyshohet se lëndimet e evidentuara në trupin e viktimës janë shkaktuar nga forca duarthatë, pa përdorim të ndonjë arme apo mjeti tjetër”, ka thënë Bytyqi.

Ndërkaq, siç tha Bytyqi, trupi i pajetë është dërguar në IML Prishtinë për ekzaminim mjekoligjor, ndërsa i dyshuari, bashkëshorti i viktimës, rreth 81 vjeçar (B.D.), është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë.

“Vlen të theksohet se, sipas evidencave të policisë, çifti nuk ka pasur raste të mëhershme të dhunës të raportuara dhe në momentin e incidentit kanë qenë vetëm në shtëpinë e tyre. Hetimet janë në vazhdim për të përcaktuar motivin dhe rrethanat e plota të rastit”, tha ndër të tjera Bytyqi.

Prokuroria jep detaje për rastin në Prizren

Prokuroria Themelore në Prizren, departamenti për Krime të Rënda në një njoftim të lëshuar për media ka bërë të ditur se rasti ka ndodhur rreth orës 01:30 pas mesnatës dhe dyshohet se viktimë është një grua, e cila dyshohet se është privuar nga jeta nga bashkëshorti i saj.

Pas pranimit të informatës për rastin, në vendin e ngjarjes kanë dalë prokurori kujdestar nga Departamenti për Krime të Rënda, njësitet relevante të Policisë së Kosovës, ekipet e krim-teknikës dhe zyrtarët e Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML).

Sipas Prokurorisë, ekipet kanë zhvilluar procedurat hetimore në vendin e ngjarjes, ndërsa me urdhër të prokurorit trupi i viktimës është dërguar në IML për obduksion.

“Bazuar në të dhënat fillestare të hetimit, i dyshuari, B.D., dyshohet se ka privuar nga jeta gruan e tij, duke ushtruar dhunë fizike, dhe se rasti ka ndodhur brenda familjes”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Me vendim të prokurorit të shtetit, i dyshuari B.D. është ndaluar për 48 orë, nën dyshimin e bazuar se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Prokuroria ka njoftuar se, brenda afatit ligjor, do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.

Ndërkohë, hetimet po vazhdojnë në bashkëpunim mes Prokurorisë Themelore në Prizren dhe Policisë së Kosovës, me qëllim të zbardhjes së motiveve dhe rrethanave të plota të kësaj ngjarjeje të rëndë.

81-vjeçari në Prizren dyshohet se e vrau gruan me forcë duarthatë, ai vazhdon të thotë se ishte “aksidentale”

81-vjeçari dyshohet se ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij 80-vjeçare në Prizren, ndërsa Policia e Kosovës ka ngritur dyshime se gruaja është vrarë me forcë duarthatë, pa përdorimin e ndonjë arme apo mjeti tjetër.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka dhënë detaje për rastin në emisionin FIVE, duke thënë se dyshimet janë ngritur pas ekzaminimit të vendit të ngjarjes dhe shenjave të evidentuara në trupin e viktimës.

Sipas tij, ende nuk dihet motivi i rastit, ndërsa hetimet janë duke vazhduar për të sqaruar rrethanat e plota.

“Vetëm nga shenjat në trupin e viktimës dhe nga provat në vendin e ngjarjes dyshohet se viktima është vrarë nga forca duarthatë, pa përdorur ndonjë armë apo mjet tjetër”, ka deklaruar Bytyqi.

I dyshuari, sipas Bytyqit, vazhdon të qëndrojë në deklaratën e tij se vdekja ka qenë aksidentale, por provat e mbledhura deri më tani, sipas tij, ngritin dyshime të tjera.

“Sa i përket motivit, ende nuk dihet”, ka thënë Bytyqi.

Sipas zëdhënësit të Policisë, në momentin e incidentit në shtëpi kanë qenë vetëm viktima dhe bashkëshorti i saj, i cili është arrestuar dhe është ndaluar për 48 orë me vendim të Prokurorit të Shtetit.

Protestë në Prishtinë kundër vrasjes së grave: Femicidi të trajtohet si urgjencë kombëtare

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka paralajmëruar protestë të premten në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, me thirrjen “Vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare”.

Protesta do të mbahet në orën 12:00, pas dy rasteve të vrasjes së grave të raportuara gjatë kësaj jave në Kosovë.

Në thirrjen e tyre, organizatorët e cilësojnë femicidin si kulminacion të dhunës sistematike ndaj grave dhe kundërshtojnë trajtimin e rasteve si incidente të izoluara./Telegrafi

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika