Deputeti i Bundestagut, Knut Abraham, ka thënë se ekziston rreziku real që Rusia, pas Ukrainës, të përpiqet ta destabilizojë gjithë Ballkanin.
Sipas Abraham, Rusia ka treguar vitet e fundit se në mënyrë aktive kërkon të destabilizojë vendet që aspirojnë integrimin në BE. Për të parandaluar këtë, sipas tij, përgjigja duhet të jetë një politikë shumë më aktive dhe më e besueshme e BE-së ndaj të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Sot fatkeqësisht duhet të konstatojmë se procesi i zgjerimit të BE-së ka humbur besueshmërinë. Raportet për shtetet të Komisionit Evropian tregojnë qartë se procesi është në një krizë të thellë dhe se aktualisht nuk ka asnjë motivim për reforma”.
“Mungesa e perspektivave realiste të BE-së i jep Rusisë hapësirë për të destabilizuar rajonin. Ky rrezik ekziston. Por, ne nuk duhet ta lejojmë këtë. Qeveria gjermane gjithashtu duhet të veprojë shumë më mënyrë proaktive dhe kreative”, ka theksuar anëtari i Unionit Kristian Demokrat (CDU).
Abraham është, po ashtu, anëtar i delegacionit gjerman në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE). Ai shërben në Komisionin për Çështje Juridike dhe të Drejtat e Njeriut.
Para disa ditësh, ai kërkoi anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, megjithëse Kosova ende nuk është njohur nga pesë shtetet e BE-së.
Duke e shpjeguar më tej propozimin e tij, Abraham thekson se kjo ka të bëjë edhe me dërgimin e një sinjali, në këtë krizë aktuale, dhe pranimi i Kosovës nuk varet nga pesë vendet mosnjohëse.
“Për anëtarësim kërkohet një shumicë prej dy të tretash në Komitetin e Ministrave (31 vota). Nga 46 shtetet e Këshillit të Evropës, 34 e kanë njohur tashmë Kosovën. Tani duhet të mbështesni edhe pranimin e Kosovës për të treguar se Këshilli i Evropës mbetet një institucion i rëndësishëm që bashkon demokracitë evropiane të përkushtuara për të drejtat e njeriut”, shprehet ai.
Ndërsa i pyetur rreth mundësisë së anëtarësimit së Kosovës në NATO, pas situatës në Ukrainë, Abraham nuk beson se kjo mund të ndodhë shpejt.
“Për anëtarësim kërkohet unanimiteti, që në rastin e Kosovës unanimiteti mbetet një sfidë”.
Por, ai thekson se BE-ja dhe NATO-ja mund të garantojnë sigurinë e Kosovës pa u anëtarësuar në NATO. “Perspektiva e BE-së është jashtëzakonisht e rëndësishme për paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor”.