LAJME

Demokrati El-Sayed fiton zgjedhjet në Michigan, bëhet senatori i parë mysliman në SHBA

Demokrati El-Sayed fiton zgjedhjet në Michigan, bëhet senatori i parë mysliman në SHBA
TV Prizreni
TV Prizreni
4 Nëntor 2026, 10:02

Demokrati Abdul El-Sayed ka fituar të mërkurën garën për Senatin amerikan në shtetin e Michiganit, duke mposhtur kandidatin republikan Mike Rogers, sipas projeksioneve të mediave amerikane.

El-Sayed do të pasojë senatorin demokrat Gary Peters, i cili nuk kandidoi për një mandat të ri. Me këtë fitore, ai pritet të bëhet myslimani i parë i zgjedhur në historinë e Senatit të Shteteve të Bashkuara.

Abdul El-Sayed, 42 vjeç, është mjek dhe ekspert i shëndetit publik, me prejardhje nga një familje emigrantësh egjiptianë. Ai ka studiuar biologji dhe shkenca politike në Universitetin e Michiganit, ka përfunduar doktoratën në shëndet publik në Universitetin e Oksfordit si bursist Rhodes, si dhe studimet e mjekësisë në Universitetin Columbia.

Në karrierën e tij profesionale, El-Sayed ka drejtuar Departamentin e Shëndetit Publik në Detroit, nga viti 2015 deri më 2017, ndërsa më vonë ka shërbyer edhe si drejtor i Departamentit të Shëndetit, Shërbimeve Njerëzore dhe Veteranëve në Wayne County.

Ai ishte kandidat për guvernator të Michiganit në vitin 2018, por nuk arriti të fitojë zgjedhjet primare të Partisë Demokratike. Tetë vjet më vonë, El-Sayed arriti të sigurojë një ulëse në Senatin amerikan, në një garë të rëndësishme politike.

Gjatë fushatës, ai u angazhua për uljen e kostos së jetesës, përmirësimin e sistemit shëndetësor dhe kufizimin e ndikimit të korporatave në politikë.

Ndërkohë, në zgjedhjet e mesmandatit të 3 nëntorit, demokratët kanë fituar kontrollin e Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve, sipas raportimeve të Associated Press.

 

 

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika