Policia e Kosovës ka njoftuar se në datat 27 dhe 28 prill në Kosovë do të qëndrojë për vizitë zyrtare një delegacion i Komitetit Ushtarak të NATO-s.
Gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe për kohën që ky delegacion do qëndrojë në Kosovë, Policia njofton se do kujdesen për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe rregullimin e trafikut.
Policia bën të ditur tutje, se për të siguruar qarkullimin e lirë të eskortës, do ndërpritet qarkullimi në disa rrugë ku pritet të kaloj eskorta.
“Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës sipas itinerarit të lëvizjes si dhe zhvillimin e aktiviteteve sipas agjendës zyrtare të vizitës, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurtra kohore) të disa segmenteve rrugore (ku pritet të kalojë eskorta), ku edhe mund të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative” – thuhet në njoftimin e Policisë.
Tutje, Policia ka kërkuar mirëkuptim nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik.