LAJME

Delegacioni i Fondacionit Federal Gjerman për Mjedisin viziton Universitetin e Prizrenit për avancimin e bashkëpunimit në biochar dhe zhvillimin e qëndrueshëm

Delegacioni i Fondacionit Federal Gjerman për Mjedisin viziton Universitetin e Prizrenit për avancimin e bashkëpunimit në biochar dhe zhvillimin e qëndrueshëm
TV Prizreni
TV Prizreni
22 Qershor 2026, 18:22

Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren priti sot një delegacion të nivelit të lartë nga Fondacioni Federal Gjerman për Mjedisin (DBU), në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional për promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm, inovacionit mjedisor dhe kërkimit shkencor.

Sipas njoftimit, delegacioni u prit nga rektori, Prof. Asoc. Dr. Mentor Alishani, së bashku me prorektorin për Mësimdhënie, Çështje të Studentëve dhe Kërkime Shkencore, Prof. Ass. Dr. Luan Vardari, dhe prorektorin për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Ngritje të Cilësisë, Prof. Asoc. Dr. Serdan Kervan.

Siç bëhet e ditur, në takim morën pjesë edhe përfaqësuesit e Fakultetit të Shkencave të Jetës dhe Mjedisit, Prof. Asoc. Dr. Ylli Kortoçi, Prof. Asoc. Dr. Mirvjena Këllezi-Kortoçi dhe Prof. Ass. Dr. Liridon Buqaj.

Delegacioni i DBU-së thuhet se përbëhej nga Dr. Cornelia Soetbeer, Dr. Alexander Bittner, Dr. Jörg Lefevre dhe Claudia Domel.

Në njoftim thuhet se gjatë takimit u diskutua mbi klasterin e ri të financimit “Plant-based Biochar”, potencialin e bioqymyrit (biochar) për bujqësi të qëndrueshme dhe mbrojtjen e mjedisit, si dhe mundësitë për bashkëpunim në projekte kërkimore dhe programe ndërkombëtare financimi.

Pas takimit në Rektorat, delegacioni vizitoi Fakultetin e Shkencave të Jetës dhe Mjedisit, ku u njoh me kapacitetet laboratorike të fakultetit, përfshirë laboratorin më të ri të realizuar si donacion përmes bashkëpunimit me Universitetin e Konstanzës.

“Takimi u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe krijimit të partneriteteve të reja në fushën e mjedisit, kërkimit shkencor dhe inovacionit.” – thuhet në njoftim.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika