Dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka reaguar në lidhje me deklaratat për çmimin e shtyllave elektrike, të drejtorit për Shërbime Publike, Çelë Lamaj.
Bëhet fjalë për deklaratat e bëra në seancën e Kuvendit Komunal të mbajtur më 19 dhjetor të këtij viti në Prizren, ku sipas tyre një shtyllë elektrike SMART me çmim të furnizimit kushton 25,000.00 dollar dhe më e shtrenjta 44,000.00 dollar, ndërsa komuna e Prizrenit e ka tenderuar me 32,000.00 euro.
E në këtë rast tutje nga dega e Vetëvendosjes në Prizren thuhet se komuna është munduar të arsyetoj çmimin jo real të shtyllave elektrike (SMART – Multifunksionale).
Po ashtu Vetëvendosja ka ftuar dhe drejtorin Çelë Lamaj që të japë llogari dhe të ofrojë dëshmi për pretendimet e tij, nëse ato ekzistojnë dhe nga ta është kërkuar që organet përkatëse të nisin hetime të menjëhershme për këtë rast dhe të ndriçojnë të gjitha dyshimet për keqpërdorime të mundshme.
Reagimi i plotë nga dega e Vetëvendosjes në Prizren:
32,000.00 EURO PËR NJË SHTYLLË ELEKTRIKE?!
ÇELË LAMAJ MASHTRON QYTETARËT E PRIZRENIT ME ÇMIME FIKTIVE!
Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra në Prizren dënon ashpër deklaratat publike të drejtorit të Shërbimeve Publike Çelë Lamaj, të bëra në seancën e Kuvendit Komunal ( 19.12.2024 ) të Prizrenit lidhur me çmimin e shtyllave elektrike. Ai deklaroi se një shtyllë elektrike SMART me çmim të furnizimit kushton 25,000.00 dollar dhe më e shtrenjta 44,000.00 dollar, ndërsa Komuna e Prizrenit e ka tenderuar – blerë me 32,000.00 euro, duke u munduar që me gënjeshtra dhe manipulime të arsyetoj çmimin jo real të shtyllave elektrike ( SMART – Multifunksionale ) të blera nga drejtoria që ai vet e drejton.
Për të vërtetuar se deklaratat e drejtorit Lamaj janë absurde dhe të pabazuara, shih si më poshtë
“Me një kërkim të thjeshtë në internet, secili qytetar mund të gjejë se çmimi i një shtylle elektrike ( të asaj që pretendon drejtori Lamaj: shtyllë elektrike SMART ) zakonisht varion rreth 1,000.00 – 3,000.00 dollar”.
Ky manipulim flagrant jo vetëm që synon të mashtrojë qytetarët e Prizrenit, por edhe ngre dyshime serioze për keqpërdorimin e parasë publike dhe mungesën e transparencës në proceset e prokurimit.
Në vend që të ofrojë shërbime dhe projekte të cilësisë së lartë për qytetarët, drejtori Lamaj ka zgjedhur të përdorë manipulime të tilla për të mbuluar paaftësinë e tij dhe, potencialisht, skandale të reja korrupsioni. Kjo qasje është fyese për qytetarët e Prizrenit dhe për çdo taksapagues që meriton qeverisje të përgjegjshme dhe të ndershme.
Ftojmë publikisht drejtorin Çelë Lamaj që të japë llogari dhe të ofrojë dëshmi për pretendimet e tij, nëse ato ekzistojnë. Po ashtu, kërkojmë që organet përkatëse të nisin hetime të menjëhershme për këtë rast dhe të ndriçojnë të gjitha dyshimet për keqpërdorime të mundshme.
Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra në Prizren do të vazhdojë të qëndrojë vigjilente ndaj çdo veprimi që dëmton interesat e qytetarëve të komunës tonë, dhe të denoncojë çdo përpjekje për manipulim dhe keqmenaxhim të parasë publike.
Prizreni meriton më mirë! Transparencë dhe llogaridhënie për qytetarët tanë!
Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra në Prizren