Kryetarja e KQZ-së Valdete Daka ka kërkuar që të shfrytëzohet afati maksimal kushtetues për shpalljen e zgjedhjeve të reja parlamentare, në mënyrë që ato të organizohen në mënyrë sa të suksesshme, derisa organizimin e tyre e ka quajtur si shumë sfiduese.
Daka tha se institucionet që bëjnë shpalljen e zgjedhjeve duhet ta kenë parasysh se tashmë janë festat e fundvitit dhe të gjitha institucionet do ta kenë pushim.
“Pas situatës së krijuar pas aktgjykimit nga Gjykata Kushtetuese, ne jemi të vetëdijshëm që zgjedhjet janë të pashmangshme. Ne do të presim datën e shpalljes së zgjedhjeve, por kisha dashur t’u vihet parasysh institucioneve relevante që të shfrytëzohet afati maksimal i dhënë kushtetues për datën e shpalljes së zgjedhjeve, sepse kemi festat shtetërore para nesh. Ne ende nuk e kemi një buxhet të alokuar, as të aprovuar me sa e di unë, kështu që do të jetë goxha e sfidueshme gjithë kjo situatë, sidomos për faktin që jemi në prag të festave kur e dimë që asnjë institucion praktikisht nuk punon dhe ne do të mbetemi i vetmi institucion, i cili do të jetë në detyrë në ditët në vijim. Pra, unë kisha kërkuar nga institucionet relevante, në dorën e të cilëve është të vendoset, që të kenë parasysh këto fakte e sidomos faktin që KQZ është një institucion i pavarur i cili deri më tani ka organizuar një numër të madh të zgjedhjeve në mënyrë jashtëzakonisht të suksesshme dhe nuk kisha pasur dëshirë që për shkak të afateve jashtëzakonisht të shkurtra të sfidohemi duke i pasur parasysh të gjitha ato”, tha ajo.
Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Sami Kurteshi, ka kërkuar që KQZ të krijojë një aplikacion për regjistrimin e mërgimtarëve për zgjedhjet e reja që pritet të mbahen në fillim të vitit të ardhshëm, duke thënë se me këtë do të lehtësohet edhe puna e këtij institucioni.
“Lehtëson punën e KQZ-së shumë, sepse kontrollimi është elektronik, nuk është fizik. Mund ta marrë me mend se për 20 mijë, 30 mijë, 40 mijë ose 50 mijë votues duhet shtypur letrat dhe duhet pasur resurse njerëzore për t’i kontrolluar. Në aplikacion janë disa të dhëna që aplikacioni elektronik i kontrollon automatikisht, një numër personal që ka 10 shifra është i rregullt, një numër personal që i ka 11 shifra vetë tregon se nuk është në rregull. Prandaj, unë po kërkoj edhe një herë nga KQZ që ta ngre këtë çështje dhe të krijojmë aplikacionin elektronik për regjistrimin e mërgimtarëve për zgjedhje”, tha ai.
Anëtari i LDK-së në KQZ, Sami Hamiti, tha se çështja e krijimit të aplikacionit është duke u trajtuar në komisionet e Kuvendit të Kosovës.
“E kemi diskutuar gjatë dhe kemi parë që nuk kemi bazë ligjore për të bërë këtë gjë. Tash shoh që kërkesa është vetëm tash pasi zgjedhjet shpallen. Kolegët e mi që po ngrenë këtë çështje, e dinë se ekziston një iniciativë në Kuvend për plotësim dhe ndryshim të ligjit. Unë e di që ajo ka shkuar nëpër komisione dhe një prej elementeve është që të krijohet mundësia ligjore. E di që është trajtuar në komisionet, është bërë një draft që të shkojë për Kuvend, por është çështje të cilën pavarësisht se tashmë po vijmë në një situatë se çka do të flasim, është banalizuar edhe çështja e diasporës me këta terma. Konsideroj se ajo në këtë fazë nuk ka mundësi të bëhet për këto zgjedhje”, tha ai.
E anëtari i LVV-së, Sami Kurteshi ka reaguar ndaj deklarimeve të kolegut të tij nga LDK-ja në KQZ, duke thënë se në komisione nuk është hapur asnjëherë çështja e krijimit të këtij aplikacioni.
“Nuk ka asnjë pengesë ligjore për zhvillimin e një aplikacioni elektronik, nuk ka asnjë pengesë ligjore. E treta, unë po ju tregoj përfaqësuesit e LDK-së në Komisionin për çështje ligjore nuk e kanë votuar ndryshimet”, tha ai, raporton kp.
Anëtari i PDK-së në KQZ, Arianit Elshani, tha se e mbështesin secilën iniciativë që ka për qëllim lehtësimin e regjistrimit dhe votimit të diasporës.
“Si aplikacion e kemi mbështetur në parim, të gjithë anëtarët kemi qenë në një farë forme që ajo të kalojë, por duhet të kemi parasysh kufizimet ligjore. Duhet të dimë se kemi një përgjegjësi institucionale dhe të respektojmë ligjin. Andaj është mirë që në Kuvend sot diskutohet kjo çështje dhe unë pres që jo vetëm t’i mundësohet votimi diasporës, por edhe të kenë vende të rezervuara në Parlament. Kjo është zgjidhja më e mirë”, tha ai.
Kjo çështje ka bërë që të ketë përplasje mes anëtarëve të KQZ-së nga radhët e PDK-së dhe të LDK-së. Anëtari i LVV-së Sami Kurteshi, tha se nuk ka interes për lehtësim të regjistrimit të mërgimtarëve.
“Nuk ka interesim për lehtësimin e regjistrimit të mërgimtarëve”, tha ai.
Në mbledhjen e sotme të KQZ-së, drejtori i Zyrës për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim, Yll Buleshkaj, bëri të ditur se ka një interesim të shtuar për regjistrim të partive politike dhe iniciativave qytetare. Ai bëri të ditur se kanë mbajtur 10 takime me persona të cilët kanë kërkuar informacione për themelimin e iniciativave qytetare, derisa theksoi se ka interesim të shtuar edhe nga komunitetet.
“Jemi shumë të zënë duke këshilluar partitë politike, po ashtu edhe iniciativat për themelim të partive politike apo iniciativa qytetare. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka ngjallur një interes të veçantë për iniciativa të reja, por edhe për certifikim të partive të tjera të cilat kushtet për t’u certifikuar, ku ka shumë edhe nga komunitetet. Kemi pasur kontakte nga 10 iniciativa. A materializohet a jo tash në të ardhmen, nuk e di, por janë 10 sosh me të cilat kemi mbajtur takime dhe i kemi këshilluar, pasi afatet bëhet publike kur të shpallen zgjedhjet”, tha ai.