Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka tha se në bashkëpunim me Këshillin Gjyqësor do të kërkojnë emrat e secilit person që është i dënuar me vendim të plotfuqishëm brenda tri vjetëve të fundit, shkruan Gazeta Express.
“Subjektet politike mund të aplikojnë deri më 16 janar, si parti politike bashkë me listën e tyre. Duhet të aplikojnë dhe ta sjellin gjithë dokumentacionin. Janë disa procedura të parapara me ligj, sjellin dokumentin, listat e kandidatëve, zyra bën vlerësimin e këtyre kandidatëve dhe pastaj nga Këshilli Gjyqësor siç na obligon Ligji do të kërkojmë shqyrtimin e këtyre listave dhe do t’i kërkojmë të gjithë emrat e dënuar me aktgjykim të plotfuqishëm për një vepër penale. KQZ’ja më pas vendos nëse i certifikon ose jo këta emra”, ka thënë ajo, në emisionin Frontal”, në T7.
E pyetur nga gazetari Arsim Lani, lidhur me rastin e Albin Kurtit, i cili është i dënuar me vendim të plotfuqishëm brenda tri viteve të fundit, Daka tha nuk e komenton rastin e tij.
“Nuk do të përgjigjem sepse do të jetë vendim i KQZ’së dhe jo i imi. Jemi 11 anëtarë dhe të gjithë bashkë do të vendosim dhe jo vetëm unë. Ka edhe kandidatë të tjerë dhe kjo do të vlejë për të gjithë dhe jo vetëm për një person. Shumë shpejt do ta kemi aplikimin dhe ne nuk e dimë se kush do të jetë kandidat. Nuk do të paragjykojë dhe nuk do të jap përgjigje”, ka thënë më tutje ajo.
Në rast të pakënaqësisë, Daka theksoi se kandidatët kanë të drejtë ankese.
“Një kandidat për deputet nuk mund të largohet nga lista vetëm për një pikë dhe ka shumë pika se pse një kandidat nuk mund të jetë pjesë e listës së ndonjë partie. Nëse KQZ’ja nuk e certifikon, ai ka të drejtë për ankesë e që më pas dërgohet në PZAP. Nëse edhe PZAP’ja vendos njëjte, e nëse përsëri nuk është i kënaqur ai person ai mund të ankohet deri në Gjykatën Supreme. Vendimi përfundimtar është i Supremes dhe ne e respektojmë çdo aktgjykim që del prej kësaj gjykate”, ka thënë ajo.
Më tutje ajo ka thënë që kanë kërkuar nga Agjencia për Regjistrim Civil që të hiqen nga lista e votuesve të gjithë persona që janë me dokumente të UNMIK’ut. Kjo pasi që sipas saj emrat e tyre vetëm se e ngarkojnë listën, shkruan Gazeta Express.
“Ne do të kërkojmë nga Agjencinë për Regjistrim Civil (ARC) ti pezullojnë të gjithë ata që janë me dokumente të UNMIK’ut. Flitet diku për 131 mijë qytetarë që janë bartës të dokumenteve të UNMIK’ut. Ka me vite që ata nuk mund të votojnë me ato dokumente por që kanë mbetur aty. Shumica prej tyre edhe nuk kanë qenë shtetas të Republikës së Kosovës”, ka thënë ajo në emisionin “Frontal”, në T7.
Sipas saj numri i tërë këtyre njerëzve me dokumente të UNMIK’ut, sjell probleme edhe tek kalkulimet e numrit të daljes së qytetarëve në zgjedhje.
“Ne sot kemi marr vendim që ti kërkojmë ARC’së që kur ti sjellin listat e regjistrimeve ti sjellin pa këta emra. Në vend që të kemi 131 mijë qytetarë më pak ne i kemi më shumë. Edhe kur kalkulohet numri i daljes së qytetarëve në zgjedhje ne na del më i vogël për shkak të këtyre numrave dhe gjithherë edhe ka vend për dyshime dhe manipulime”, ka thënë më tutje ajo.
Daka theksoi se në listën e votuesve do të hiqen edhe rreth 11 mijë persona që kanë ndërruar jetë gjatë vitit që lamë pas.
“Janë 11 mijë qytetarë që kanë vdekur. Dikush vdes largohet nga lista, dikush i bën 18 vjet dhe hyn në listë, pra lista ndryshon vazhdimisht. Ata do të largohen nga listat. Është një pastrim i mirë. Janë diku 142 mijë qytetarë që do të largohen nga listat. Nuk e dimë se sa janë shtuar sepse lista nuk është pronë e jona”, ka deklaruar Daka.
Ndër të tjera e para e KQZ’së theksoi se është e rëndësishme që të krijohet një listë reale , teksa shtoi se nuk kanë informacione se sa qytetarë do të kenë të drejtë vote në këto zgjedhje.
“Nuk kemi pasur informata por thashë që rreziku ekziston dhe pse mos të kemi një listë me numra real sepse gjithmonë kemi një numër që nuk është real. Në momentin që e marrim ekstraktin do ta dimë. Ne nuk e krijojmë listën votuese por vetëm e marrim ekstraktin dhe i alokojmë qytetarët në vendvotimet e tyre”, ka pohuar Daka.
Daka dha detaje edhe për kohëzgjatjen e fushatës zgjedhore që do të mbahet nga 3 deri më 12 shkurt.
“Gjithmonë kemi afate shumë të shkurta dhe fushata gjithmonë ka qenë 10 ditë. Me Ligj është e rregulluar që kemi fushatë 1 muaj, por koha e shkurtë ka shkurtuar edhe afatet përfshirë edhe fushatën”, pohoi ajo.
Kryetarja e KQZ’së theksoi se mbajtja e këtyre zgjedhjeve është e domosdoshme.
“Nuk e besoj që do të shtyhen zgjedhjet. Jemi në një situatë kaotike. Këto zgjedhje janë të domosdoshme dhe patjetër duhet të mbahen qoftë në pandemi qoftë pa pandemi”, ka deklaruar ajo. /Gazeta Express/