Mediat britanike po interesohen gjithmonë e më shumë për Shqipërinë. Disa për të dëshmuar bukuritë turistike, të tjerë për të kuptuar origjinën e fenomenit të emigracionit klandestin në Britaninë e Madhe, që gjatë këtij viti ka marrë dimensione masive nga vendi ynë.
Një reportazh i sotëm i “Daily Mail”, e fillon këtë rrugëtim jo nga qytetet e veriut që merren zakonisht si shembull, por nga Cërriku. Qyteti i Shqipërisë së Mesme përshkruhet si një qendër dikur e gjallë falë industrive të saj, por që nga rrëzimi i komunizmit ka filluar një trend shpopullimi të theksuar, aq sa e përshkruan si një “ghost town”, pra si një qytet fantazmë.
“Kur arrita në shesh, në muzg, ato pak fytyra që pashë ishin të vjetra dhe të dëshpëruara. Dukej sikur brezi i ri i qytetit ishte zhdukur nga ndonjë lloj murtaje që zgjidhte sipas moshës. Dyqanet nuk kanë klientë, shtëpitë janë bosh, shkollat ëkanë aq pak nxënës sa përdoret vetëm një pjesë e vogël e klasave”, thuhet në përshkrimin e gazetarit David Jones.





