Kërkesa të njëpasnjëshme janë drejtuar në Ministrinë e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë për lirimin nga TVSH-ja dhe akciza të derivateve, në situatën kur qytetarët po përballen me rritje të vazhdueshme të çmimeve të këtij produkti. Por, ministrja Mimoza Kusari-Lila thotë se nuk i shohin si opsione. Ajo ka thënë sa janë duke shikuar për masa të tjera.
Lirimi i menjëhershëm i së paku 50 për qind nga TVSH-ja për derivate dhe heqja e përkohshme e akcizës, janë dy nga 4 kërkesat që Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka deponuar të hënën në Ministrinë e Tregtisë.
Përmes tyre, AAK-ja po synon që të ulë çmimin e naftës së paku për 40 centë për litër, në situatën kur çmimi për një litër ka arritur deri në 1.79 gjatë ditës së hënë.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se rritja e çmimeve po ndikon drejtpërdrejt në të gjithë ekonominë, duke rritur koston e transportit, prodhimit dhe furnizimit.
“Mungesa e masave konkrete institucionale në këtë situatë mbetet shqetësuese për stabilitetin ekonomik. Në vend të politikave lehtësuese, po vërehen qasje që vështirësojnë operimin e bizneseve, ndërkohë që praktikat ndërkombëtare tregojnë nevojën për ulje të barrës fiskale, mbështetje të sektorëve kritikë dhe krijim të rezervave strategjike”, ka thënë Tahiri.
Por, këto dy kërkesa nuk shihet se do të gjejnë zbatim nga Qeveria e Kosovës.
Ministrja e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se lirimin nga TVSH-ja dhe heqjen e akcizës nuk i shohin si opsione.
“Kërkesat që kanë të bëjnë me tërheqjen e akcizës apo TVSH-së jemi duke i shqyrtuar me kujdes, por jo që ne mund themi sot se mund të ndryshohet akciza. Si e para e punës, akciza është e përcaktuar me ligj dhe rrjedhimisht çfarëdo ndryshimi duhet Kuvendi dhe e dyta, TVSH-ja dhe akciza janë të hyra të buxhetit që në situatën aktuale mbesin ashtu siç janë, por jemi duke shikuar se cilat janë mundësitë për të ndikuar nëse ka rritje të mëtutjeshme natyrisht në zinxhirin e furnizimit, pra që të mos ketë multiplifikim apo zinxhir të rritjes edhe te produktet e tjera”, ka thënë Kusari-Lila.
E sa u përket dy kërkesave të tjera të parashtruara nga AAK-ja, krijimin e një taskëforce dhe krijimin e rezervave strategjike të naftës, ajo ka thënë se do t’i shqyrtojnë dhe janë të hapur për t’i diskutuar.
Ministrja Kusari-Lila ka thënë po ashtu se nuk ka rënie në stoqet e kompanive dhe situata mbetet e njëjtë, duke shtuar se ende nuk ka nevojë për kufizime, pasi sasitë e importuara nuk kanë ndryshuar ndjeshëm dhe tregu, pavarësisht rritjes së çmimeve. “Nuk kemi ardhur në pikën për të bërë kufizime. Do të bëhej diçka e tillë nëse do të lejohej të bëhej ndërhyrje fiskale në çmimin e naftës apo për ata që po e kërkojnë, në rastin e akcizës dhe TVSH-së; atëherë do të mund të vendosej një kufizim. Deri tash nuk e kemi parë të nevojshme vendosjen e kufizimit, sepse sasitë e importuara nuk ndryshojnë shumë krahasuar me para fillimit të konfliktit. Përkundër rritjes së çmimit, tregu ende e ka toleruar atë”, ka thënë ajo.
Një kërkesë tjetër për lirim nga TVSH-ja, të hënën Kusarit-Lilës i ka shkuar edhe nga kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani.
Ai përveç Kusari-Lilës u ka shkruar edhe kryeministrit Albin Kurti dhe ministrit të Financave, Hekuran Murati, duke theksuar se kjo masë do të ndikonte drejtpërdrejt në uljen e kostos për qytetarët, në kushtet e rritjes së çmimeve.
“Kjo masë do të ndikonte drejtpërdrejt në uljen e kostos për konsumatorin final, përkatësisht për qytetarët e Kosovës, duke ofruar një lehtësim të menjëhershëm dhe të prekshëm në kushtet aktuale të rritjes së kostos së jetesës. Bazuar në të dhënat e fundit, me datën 21.3.2026, qytetari paguan rreth 0.62 për litër në buxhetin e shtetit, ndërsa më 21.3.2026, kjo vlerë ishte rreth 0.52. Kjo tregon se përveç rritjes së çmimit në tregjet ndërkombëtare, është evidentuar edhe një rritje e ngarkesës nga TVSH-ja prej 0.10 euro për litër”, ka thënë Berjani.
Kërkesë për ulje të akcizës dhe TVSH-së për derivate ka paraqitur edhe Oda Ekonomike e Kosovës, dhe Dhoma e Tregtisë pak ditë më parë, duke thënë se kjo do të lehtësonte barrën ndaj bizneseve dhe qytetarëve.
Sipas të dhënave të Doganës, çmimi i importit për një litër naftë të hënën ka qenë 1.11 euro. Këtij çmimi kur i shtohen akciza, TVSH-ja, marzha e fitimit, shkon deri në 1.80 euro.
Derisa në Kosovë ende nuk ka ndonjë vendim nga institucionet, si masa lehtësuese Shqipëria ka marrë vendim që ta ulë akcizën për 20 për qind, ndërsa Maqedonia e Veriut ka ulur TVSH-në nga 18 në 10 për qind.
Po ashtu ka intervenuar edhe Qeveria e Kroacisë. Sipas një grafiku të paraqitur nga Qeveria e këtij vendi, çmimi i naftës nga sot e deri në një vendim tjetër do të jetë 1.73 euro, kurse i benzinës 1.62 euro. Sipas Qeverisë, pa masat e ndërmarra nga ajo, nafta në Kroaci do të kushtonte 1.86 euro, kurse benzina 1.71 euro./koha.net/