“Nuk ka paralele midis ndërhyrjes së NATO-s në ish-Republikën Federative të Jugosllavisë dhe pushtimit rus të Ukrainës,” tha Wesley Clark, gjeneral në pension dhe ish-komandant i përgjithshëm i forcave të NATO-s Evropë gjatë fushatës së bombardimeve të Aleancës kundër Serbisë, nga marsi deri në fillim të qershorit të vitit 1999.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Clark shpjegoi se Aleanca filloi aksionin ushtarak kundër Republikës Federative të Jugosllavisë pas disa muajsh negociatash me udhëheqjen e atëhershme jugosllave, të udhëhequr nga ish-presidenti Slobodan Millosheviq, negociata këto të cilat në fund dështuan në Rambuje të Francës, pas refuzimit të marrëveshjes nga pala serbe.
Ai qartësoi se fushatës së Aleancës kujton i ka paraprirë represioni ndaj popullatës shqiptare në Kosovë, dëbimi i qindra mijëra shqiptarëve nga shtëpitë e tyre dhe përleshjet mes forcave ushtarake dhe policore serbe dhe pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
“Është krejtësisht ndryshe nga ajo që po ndodh në Ukrainë. Nuk kishte asnjë përndjekje të popullatës ruse nga ana e forcave ukrainase. Rusia thjesht e dëshiron atë vend dhepo vepron pa asnjë kufizim – duke vrarë civilë. Bëhet fjalë për krim të luftës, sepse Rusia po përpiqet të përmbysë dhe kontrollojë një vend, ose të paktën të ndryshojë plotësisht qeverinë e saj aktuale.
Është zhgënjyese të shohësh njerëz që demonstrojnë në favor të Rusisë në rrugët e Serbisë. Ata padyshim nuk duan të shohin katastrofën humanitare që po ndodh”, tha Clark.