Gjykata Speciale ishte faktori determinues i zhvillimeve politike gjatë vitit që lamë pas. Një situatë e tillë pritet të vazhdojë edhe gjatë vitit 2021. Gjatë këtij viti priten një sër zhvillimesh që ndërlidhen me punën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.Menjëherë me 2 janar Prokurorët dhe Gjykatësit e Dhomave të Specializuara në Hagë e përfundojnë periudhën e pushimit, të cilën e kanë nisur që nga 21 dhjetori.
Menjëherë pas kësaj date, ata pritet t’i futen punës intensive që kanë me aktakuzat aktuale dhe ato që pritet të ngriten në vazhdim.Qysh në janar pritet të ketë zhvillime në Tribunalin Special. Më 8 janar do të mbahet seanca e dytë që prej ngritjes së aktakuzës ndaj nënkryetarit të OVL-së, Nasim Haradinaj. Në këtë seancë, Nasim Haradinaj do të deklarohet në lidhje me fajësinë apo pafajësinë e tij.
Ditëve në vazhdim gjyqtari i procedurës paraprake pritet të vendos në lidhje me kërkesat për lirim të përkohshëm që tanimë kanë parashtruar avokatët e ish-krerëve të UÇK-së. Disa nga këto kërkesa tanimë janë bërë publike nga Specialja, teksa disa të tjera ende jo.Kërkesa të tilla të cilat tanimë janë bërë publike, janë ato të ish-presidentit Thaçi, Rexhep Selimit, Nasim Haradinajt e Hysni Gucatit.Gjatë ditëve të para të vitit 2021, Specialja pritet të caktojë një tjetër konferencë statutore në rastin e Thaçit, Veselit, Selimit, e Jakup Krasniqit.
Para nxjerrjes së materialeve të plota nga Prokuroria e Specializuar, pritet që të vendoset edhe për nisjen e datës së gjykimit, për të cilën ka jashtëzakonisht shumë mospajtime mes mbrojtjes dhe Prokurorisë së Specializuar.Mbrojtja kërkon që gjykimi të nis diku kah fundi i vitit 2022 apo fillimi i vitit 2023, teksa Prokuroria kërkon me ngulm që kjo të bëhet qysh në muajin shtator të vitit 2021.
Në bazë të kërkesës së Prokurorisë së Specializuar, i bije që vetëm tre muaj pas nxjerrjes së materialeve të plota, të nis gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së.E 2021-ta pritet të jetë periudha kur avokatët veç do të nisin me hetimet e tyre. Në Kosovë pritet të vijnë hetues profesionistë të angazhuar nga mbrojtja në rastin e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.Gjer më tani, mbrojtja e Kadri Veselit ka identifikuar një ekspert dhe një hetues me përvojë ndërkombëtare, të cilët do të kryejnë hetime në Kosovë.
Sidoqoftë, kjo nuk do të jetë përbërja finale e këtij ekipi, pasi që pritet që këtë punë për mbrojtjen e Veselit do ta kryejnë gjithësej gjashtë hetues gjithësej.Po ashtu, për të mbikëqyrur ekipin do të angazhohet edhe një ekspert tjetër ndërkombëtar.
Ekipe të hetuesve do të angazhojnë edhe avokatët tjerë, mirëpo që ende nuk i kanë bërë të ditura detajet, për shkak se ende nuk është e qartë se kur do të nis gjykimi.E gjykimi këtë vit me gjasë do të nis ndaj Nasim Haradinajt e Hysni Gucatit. Kjo pasi që këta dy persona nuk janë të akuzuar për krime lufte, por për vepra penale që lidhen me administrimin e drejtësisë. Ata akuzohen për publikimin e dokumenteve konfidenciale, të cilat në tri raste gjatë muajit shtator kishin arritur në zyret e tyre.
Pra hetimet për këtë pjesë pritet të zgjasin shumë më pak, për shkak se periudha prej kur janë konsumuar veprat penale janë vetëm disa ditore.“Mund të zgjasë edhe pse këta dy nuk kanë të bëjnë me krime lufte, kjo është një çështje tjetër e cila është quajtur pengim i drejtësisë. Kështu që nuk pritet shpejtë të zhvillohet procedura. Në këto raste të tilla të ngjashme, kanë qenë diku nja dy-tre raste të ngjashme, as ato nuk janë zhvilluar shumë shpejtë në Tribunalin e Hagës. Kështu që bazuar në atë se si ka ndodhur në të kaluarën, po besoj që për nja pesë apo gjashtë muajt e ardhshëm s’besoj se munden me u procesua edhe me u përfundua proceset”, ka thënë për lajmi.net avokati i akredituar nga Specialja, Teki Bokshi.
Bazuar pra në këtë praktikë, që nga konfirmimi i aktakuzës, gjatë muajve të verës pritet të nis gjykimi ndaj Nasim Haradinajt e Hysni Gucatit.E edhe në 2021-tën mund të shohim aksione të Policisë së EULEX-it dhe hetuesve të Speciales, ashtu siç kishim parë në 2020-tën.Kjo nisur nga fakti se në aktakuzat e publikuara deri më tani për krime lufte, përmenden edhe emra të tjerë të ish-krerëve të UÇK-së e ish-luftëtarëve.
“Ndër anëtarët e tjerë të NKP-së përfshiheshin ushtarët e UÇK-së me pseudonimet ‘Tabuti’, ose ‘komandant Tabuti’, ‘Ilmi VELA’, ‘Bimi’, ‘Dardani’, ‘Afrimi’ dhe ushtarë, policë dhe roja të tjerë të UÇK-së të pranishëm në kompleksin e ndalimit në Zllash. Secili prej anëtarëve të NKP-së, përmes veprimeve dhe mosveprimeve të veta, kontribuoi në realizimin e qëllimit të përbashkët.
Ndryshe, disa ose të gjithë këta individë nuk ishin anëtarë të NKP-së, por u përdorën nga anëtarë të NKP-së në kryerjen e krimeve, për realizimin e qëllimit të përbashkët”, thuhet në aktakuzën e prokurorisë ndaj Salih Mustafës.Emra të ish-komandantëve përmenden edhe në aktakuzën ndaj Thaçit, Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.Aty nënvizohen emrat e Fatmir Limajt, Rrustem Mustafës, Sabit Gecit, Azem Sylës, Sylejman Selimit, Lahi Ibrahimajt, Lahi Ibrahimajt e Latif Gashit.
Sidoqoftë, ndaj asnjërit prej tyre nuk është ngritur ndonjë aktakuzë, ndonëse shumica prej tyre janë intervistuar në cilësi të të dyshuarve.
/Gazeta Blic