Vendimi i administratës së presidentit amerikan, Joe Biden, për të mbështetur një shtytje të Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT) për të hequr dorë nga licencat për vaksinat kundër COVID-19 mund të jetë një hap i madh drejt përfundimit të pabarazisë së shpërndarjes së vaksinave, thonë aktivistët, por vetë nuk do të ketë efekt vendimtar në këtë krizë.
Çfarë pranoi të mbështesë administrata e Biden?
Tetorin e kaluar, nga frika se prodhimi i vaksinave kundër COVID-19 do të dominohej nga vendet e pasura, India dhe Afrika e Jugut lëshuan një propozim në OBT për të hequr dorë nga patentat për vaksinat kundër COVID-19 si dhe për teknologji të tjera, raporton The Guardian, përcjell Telegrafi.
Iniciativa fitoi mbështetjen e më shumë se 100 vendeve në zhvillim, megjithatë është kundërshtuar nga një grup i vendeve më të pasura duke përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Kanadanë, Australinë, BE-në, dhe deri më tani SHBA-në.
Sidoqoftë, administrata e Biden ka njoftuar se po ndryshon pozicionin e saj, dhe do të mbështesë heqjen dorë për patentat ndaj vaksinave kundër COVID-19 – por jo edhe për trajtimet ose ndaj teknologjive të tjera që janë përdorur për të luftuar sëmundjen.
Në rast se kjo iniciativë e mbështetur tashmë edhe nga SHBA-ja, miratohet nga OBT-ja, kjo do të lejojë kompanitë në të gjithë botën që janë duke zhvilluar vaksina kundër coronavirusit ta bëjnë këtë pa frikë se mund të paditen nga një entitet tjetër që tashmë mban patentën mbi produktin.
A do të thotë që pas këtij vendimi do të ketë më shumë vaksina?
Aktivistët e vaksinave e kanë vlerësuar vendimin si “heroik”, një precedent i mundshëm për heqjen dorë nga prona intelektuale (IP) për të adresuar krizat shëndetësore në të ardhmen. Por ata gjithashtu e kanë bërë të qartë se, vetëm, kjo nuk do ta adresojë mungesën globale të vaksinave kundër COVID-19.
Për një gjë, OBT-ja duhet ta miratojë heqjen dorë të patentës. Trupi tregtar zakonisht operon me konsensus dhe ekonomitë kryesore si Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja dhe Bashkimi Evropian vazhdojnë të mos e mbështesin një gjë të tillë.
Kthimi i SHBA-së mund t’i bindë këto vende të bëjnë kompromis mbi çështjen dhe të arrijnë një lloj marrëveshjeje që është një përmirësim i situatës aktuale, por që nuk heq dorë plotësisht nga të drejtat e IP për vaksinat, transmeton Telegrafi.
Së dyti, vaksinat janë formulime jashtëzakonisht komplekse. Siç kemi parë gjatë këtij viti, edhe ndërmarrjet me përvojë po hasin me probleme për të rritur prodhimin.
Procesi i prodhimit është po aq i rëndësishëm sa “receta” e patentuar dhe OBT nuk ka fuqi të detyrojë kompani të tilla si Pfizer dhe Moderna të ndajnë teknologjinë dhe njohurinë që përdoret për të prodhuar vaksinat e tyre.