Dëshmitari është pyetur lidhur me një letër që ia kishte dërguar shoferit të Bislim Zyrapit, që ishte shef i Shtabit të Përgjithshëm, ku ankohet për qasjen që kishte në luftë, komandanti i Zonës së Pashtrikut Ekrem Rexha, i njohur si “Drini”.
Çadraku tha se eprorët e tij kishin metoda defensive, me të cilat ai nuk pajtohej.
“Perceptimi im i luftës dhe perceptimi i eprorëve që ishin me karrierë ndoshta kanë ndryshuar pak. Unë isha më ndryshe, kisha një shpirt iniciative, mos puna apo mënyra defensive e atyre eprorëve që ishin me ne ndoshta më pengonte, nuk e adhuroja atë lloj të punës. Në vazhdën e kësaj unë kam kërkuar nga Shtabi i Përgjithshëm që të ndikoj për ta përshpejtuar dhe rritur cilësinë e punës dhe cilësinë e organizimit”, tha Çadraku.
Prokurori James Pace lexoi një artikull të datës 9 mars 2017, me autor Halil Çadrakun, të cilin e ka shpërndarë në Facebook edhe Sadik Halitjaha.
“Këtij artikulli i qëndroj prapa në çdo pikë dhe në çdo presje”, tha Çadraku.
“Marsi i shqiptarëve, marsi i Jasharëve, marsi i demonstratave, marsi i kuq, marsi, marsi, marsi… Sot do të shkruaj për marsin e vitit 1999, ishte marsi më i përgjakshëm në historinë e shtetit dhe popullit tonë. Me 18 mars nënshkruhet marrëveshja e Rambujesë, me 24 mars fillojnë bombardimet, por sot do të shkruaj për një dezertim të një FARK-isti, Sylejman Kollçaku, i cili ishte zv.komandant në Zonën e Pashtrikut. Në atë kohë komandant kishim Ekrem Rexhën – Drinin, ishte një ngjarje si një njollë historike e cila i dha udhë FARK-ut dhe qëllimi kryesor i “institucioneve” ishte sabotimi i luftës, kjo ishte e dyta për nga pesha e rëndësisë menjëherë pas ikjes së komandantit, zotëri Tahir Zemajt”, lexoi prokurori Pace
“E kam shkruar atëherë edhe sot e mendoj që kanë qenë të tillë. Sepse mungesa e tyre, mungesa e punës së tyre, mungesa e ndihmës së tyre, mungesa e angazhimeve të tyre operacionale në drejtim të luftës, në drejtim të ndihmës ndaj nesh, neve kishim nevojë edhe për një qen, edhe për një kali, edhe për gomar që t’i transportonim armët dhe ata, në ato vite qëndronin në Tiranë, mbi 5000 pjesëtarë të forcave të FARK-ut ishin të instaluar nëpër Tiranë e Shqipëri e nuk e shihnin të arsyeshme të hynin, të na ndihmonin, apo të na armatosnin”.