Brohoritjet ‘Mbushini arkat, mbushini’ dhe ‘Më shpejt’ e ndiqnin Dea Ypin, vullnetare nga Qendra Rinore e Rahovecit, përgjatë dhjetëra metrave në një vreshtari në Rahovec. Për pesë minuta, Ypi dhe dhjetë vullnetarë të tjerë i grumbulluan 46 kilogramë rrush, si pjesë e aktiviteteve të ditës së parë të festës së vjeljes së rrushit “Hardh Fest”.
Të ndarë në tri grupe, të rinjtë e Rahovecit vraponin me qese të bardha të lidhura mbi këpucët e tyre, shkaku i baltës, drejt arkave për ta dorëzuar rrushin që e kishin vjelë. Mirëpo, ca pika shiu nuk e ndalën dot Dean që të merrte pjesë.
“Kam ardhur sepse si organizim më ka pëlqyer shumë dhe meqë ne në Komunën e Rahovecit e kemi traditë të merremi me rrush”, u shpreh Dea për Radion Evropa e Lirë, e cila ishte pjesë e ekipit fitues të garës.
Një garues gjatë vjeljes së rrushit, pjesë e aktiviteteve të festivalit “Hardh Fest”
Një garues gjatë vjeljes së rrushit, pjesë e aktiviteteve të festivalit “Hardh Fest”
Gara për shpejtësinë e vjeljes së rrushit ishte ndër aktivitetet e para të këtij edicioni të Hardh Fest-it, që do të mbahet edhe dy ditët e ardhshme, më 3 dhe 4 shtator, në Rahovec.
Festivali u kthye pas dy vjetëve pauzë shkaku i pandemisë, pavarësisht që edhe gjatë këtyre dy vjetëve u zhvilluan disa aktivitete.
Këtë vit, Festivali do të shënohet përmes performancave të artistëve të shumtë çdo mbrëmje, ndërsa ditën do të ketë aktivitete si gara për shtrydhjen e rrushit dhe demonstrimi i pjekjes së rakisë rreth kazanit.
Agron Sokoli, drejtor i Festivalit “Hardh Fest”
Megjithatë, për drejtorin e Festivalit, Agron Sokoli, veçantia e këtij edicioni qëndron te slogani.
“Ajo që është më unike këtë edicion është se i dedikohet poetit tonë të njohur ndërkombëtar, Xhevdet Bajraj, i cili nuk është më në mesin tonë. Kemi vendosur që slogani këtë vit të jetë ‘Ca kokrra rrushi’, një nga poezitë më të mira të poetit”, u shpreh Sokoli, i cili tetë vjet më parë iu bashkua organizatorëve të Festivalit.
Autori i më shumë se 25 vëllimeve me poezi, Bajraj ka vdekur tre muaj më parë në kryeqytetin e Meksikës, ku kishte shkuar si refugjat në vitin 1999.
Poezia e Xhevdet Bajrajt frymëzoi organizatorët e festivalit për sloganin e edicionit të sivjetmë të “Hardh Fest”-it.
Se kishte ardhur nga Zvicra u kuptua edhe nga targat e traktorit të tij, të cilin e kishte sjellë veçanërisht para pak ditësh në Kosovë. Traktori i tij ishte pjesë e njërit aktivitet të Festivalit, parakalimit të mjeteve bujqësore të punës, të cilat ishin radhitur nga më të vjetrat deri te më modernet, për të simbolizuar ndryshimin përgjatë kalimit të viteve.
Rahoveci njihet për kultivimin e rrushit dhe verërave.
Festa e vjeljes së rrushit, që kishte nisur të organizohej në Rahovec që nga viti 2001 nga disa shoqata lokale, tani tërheq vizitorë të shumtë. Në vitin 2019, sipas statistikave të Policisë së Kosovës, ky festival solli rreth 70 mijë vizitorë, ndërsa organizatorët shpresojnë të kenë rreth 100 mijë vizitorë këtë vit.
Në mesin e vizitorëve është edhe Qerim Shtavica nga Rahoveci, i cili ka në pronësi rreth 2 hektarë vreshta.
“Është hera e tretë që marr pjesë në festival, kam ardhur veçanërisht për këtë arsye nga Zvicra”, tregoi Shtavica.
Qerim Shtavica duke drejtuar traktorin që e kishte sjellë nga Zvicra.
Një ndër synimet e “Hardh Fest” është promovimi i trashëgimisë kulturore të Rahovecit, duke i pasur në qendër vreshtarinë dhe promovimin e verës.
Lloje verërash të ekspozuara në festivalin “Hardh Fest”.
Këto produkte janë arsyeja që e sollën Gëzim Malësorin nga Zvicra.
“Kam ardhur me dy vajzat e mia. Kemi ardhur për t’i provuar shijet sepse kemi dëgjuar se ka cilësi të lartë”, u shpreh Malësori, me prejardhje nga Gjakova.
Njëra nga dy vajzat e Gëzim Malësorit, që kanë ardhur nga Zvicra për të marrë pjesë në edicionin e sivjetmë të festivalit “Hardh Fest”.
Njëra nga dy vajzat e Gëzim Malësorit, që kanë ardhur nga Zvicra për të marrë pjesë në edicionin e sivjetmë të festivalit “Hardh Fest”.
Njëri ndër vreshtarët që kishte sjellë produktet e tij në “Hardh Fest” është edhe Avdirrahman Jupa, i cili më parë e kishte shijuar festivalin vetëm si vizitor.
“Është hera e parë që po dal me këto produkte. Këtu bëhet shumë mirë, veçanërisht në mbrëmje, më bën shumë përshtypje atmosfera e mirë dhe është mundësi e mirë për ne që ta promovojmë rrushin”, u shpreh Jupa.
Avdirrahman Jupa, kultivues rrushi.
Përveç vreshtarëve, zonë të veçantë për qëndrim kanë edhe vizitorët. Ata kanë mundësinë të qëndrojnë nëpër tendat e ngritura në pjesën e kampingut.
Kampingu për vizitorët e festivalit “Hardh Fest”
Vizitorët mund t’i ndjekin edhe aktivitetet e mëngjesit gjatë tri ditëve të festivalit, i cili shënon fillimin e sezonit të vjeljes dhe mbledhjes së produkteve të vreshtarëve./REL
Dea Ypi (djathtas), një nga vajzat që morën pjesë në garën e vjeljes së rrushit.
Share