Home RAJONI DHE BOTA Budva në telashe: Piku i sezonit duket si pranverë

Budva në telashe: Piku i sezonit duket si pranverë

0
Budva në telashe: Piku i sezonit duket si pranverë

Sezoni i turizmit sivjet ka nxjerrë në shesh të gjitha problemet me të cilat përballet Budva ndër vite – nga strategjia e dobët e zhvillimit të turizmit, të konceptit të paqartë nëse dëshiron të jetë destinacion elitar apo i masës, apo qytet i ndejave apo i qetë dhe i pushimeve. Të gjitha këto të kombinuara me krizën ekonomike botërore dhe ngritjen e çmimeve, bëjnë që Budva këtë verë të duket sikur është në periudhën parasezonale, shkruan “Vijesti”.

Zyrtarët e turizmit thonë se vetëm një e treta e akomodimit privat në qytet është e rezervuar. Ndër arsyet kryesore të telasheve thonë se është mungesa e turistëve nga Ukraina dhe Rusia. As mungesa e turistëve rajonalë nuk është zëvendësuar nga të tjerë.

Sipas Organizatës së Turizmit në Budvë, aktualisht po qëndrojnë 29 mijë turistë. Kjo paraqet një të pestën e numrit të turistëve që ishin në të njëjtën periudhë kohore.

Për dallim nga dekadat e kaluara, kur të dhënat shpesh manipuloheshin e numrat “fryheshin” për të tërhequr më shumë e për ta paraqitur sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme, kryesia e re e organizatës ka vendosur të publikojë të dhëna reale.

Sipas të dhënave zyrtare që kjo organizatë ia ka prezantuar “Vijestit”, 15 mijë turistë janë duke pushuar në akomodim privat. Kjo është 32 për qind më pak se në meskorrikun e vitit të shkuar. 12 mijë turistë janë të regjistruar nëpër hotele – shtatë për qind më pak se vitin e shkuar.

Në total, më së shumti vizitorë ka nga Serbia me mbi 4500. Mbi 3 mijë janë prej Rusisë, ndërsa mbi 2200 nga Ukraina.

Anëtari i Shoqatës së Gastronomisë në Budva, hotelieri Ivan Ivanoviq, ka thënë se të dhënat janë nën çfarëdo pritje.

“Ka shumë arsye për këtë, mendoj se ishim tejet optimistë duke konsideruar vizitat në parasezonë. Në atë kohë, kishim numër të madh të turistëve nga Skandinavia, Gjermania, Franca, Britania… Por është dashur të dimë se këta janë mysafirë tradicionalë, që u pëlqen të vijnë në parasezonë e më rrallë pushojnë në korrik. Mendoj se çdo deklaratë nga zyrtarët e turizmit nga ministritë dhe organizatat kombëtare se do të zëvendësojnë rusët e ukrainasit në vitin e ardhshëm ose dy vitet e ardhshme – është ekstremisht joreale”, ka thënë ai.

Drejtoresha e Shoqatës së Ofruesve të Akomodimit Privat në Malin e Zi, Branka Gjoganoviq, ka thënë se në pikun e sezonit turistik, vetëm rreth 30 për qind e kapacitetit është zënë.

“Një numër i konsiderueshëm i mysafirëve, bazuar në rezervimet e konfirmuara, pritet të vijë kah 20 korriku. Ata janë kryesisht njerëz nga rajoni dhe diaspora. Kemi edhe një numër të turistëve pa rezervime. Krahasuar me njoftimin që kishim në periudhën parapërgatitore, shifrat janë dukshëm më të ulëta, që ishte evidente qysh në maj e është dashur të ishte sinjal që të bëjmë diçka. Por, ne ende operojmë pa u organizuar në nivel lokal dhe këtë po e paguajmë sivjet me sezon më të dobët, referuar Budvës, por pak a shumë të gjitha qyteteve”, ka thënë ajo.

Sipas saj, qysh në mars ka pasur informata për anulime të shumta të fluturimeve e se ka qenë e qartë që nuk do të ketë shumë turistë që vijnë me aeroplanë. Kjo është reflektuar edhe në veturat me qira e autoritetet është dashur, që për shkak të shtrenjtimit të karburanteve, të ofrojnë çmime më të lira parkingu, ka vlerësuar ajo. Sipas saj, zbritje është dashur të ketë edhe në plazhe.

Me telashe të njëjta janë ankuar edhe autoritetet e qyteteve tjera turistike rajonale, përfshirë Ulqinin në Mal të Zi e disa qendra të mëdha në Shqipëri./Vijesti

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here