LAJME

Brezna pa ujë prej 15 ditësh: Banorët në hall, “po sigurojmë ujin bidon pas bidoni”

Brezna pa ujë prej 15 ditësh: Banorët në hall, “po sigurojmë ujin bidon pas bidoni”
TV Prizreni
TV Prizreni
25 Gusht 2026, 09:05

Banorët e fshatit Brezne të komunës së Dragashit po përballen me një situatë të rënduar sa i përket furnizimit me ujë të pijshëm. Sipas ankesës së një qytetari, tri lagje të fshatit kanë mbetur pa ujë prej rreth 15 ditësh, ndërsa dy lagje të tjera furnizohen vetëm për një kohë të shkurtër gjatë ditës.

“Një vikend që duhej ta kalonim me familje, sot po e kalojmë duke siguruar ujin e pijshëm”, thuhet në ankesën e banorit, i cili tregon se familjet janë të detyruara të sigurojnë ujë me bidona dhe të udhëtojnë kilometra për të përmbushur nevojat elementare.

Sipas banorit, tri lagje nuk kanë fare ujë, ndërsa dy lagje furnizohen nga sistemi i vjetër i ujësjellësit për rreth një orë në ditë. Ndërkaq, sistemi i ri i furnizimit, i cili vjen nga Radeshë dhe përfshin rreth 15 fshatra, aktualisht nuk ka fare prurje.

Banorët thonë se për problemin kanë bërë ankesë edhe tek institucionet përgjegjëse. Sipas tyre, përgjigjja që kanë marrë është se mungesa e ujit po shkaktohet nga thatësira. Megjithatë, banorët shprehen të shqetësuar për kohëzgjatjen e problemit dhe kërkojnë që të gjendet një zgjidhje konkrete për furnizimin me ujë të pijshëm.

“Prej ditësh po përballemi me mungesën e gjësë më elementare për jetë. Bidon pas bidoni, kilometra pas kilometrash, vetëm për të siguruar ujë për familjet tona”, shprehet banori.

Sipas tij, situata tashmë është kthyer në një barrë të përditshme për familjet e fshatit.

“Jeta këtu po bëhet çdo ditë më e rëndë. Dhe kur një vend të detyron të mendosh për largimin vetëm për shkak të mungesës së ujit, atëherë diçka ka shkuar shumë keq”, thuhet në ankesë.

Banorët theksojnë se nuk kërkojnë të largohen nga vendlindja e tyre, por kërkojnë zgjidhje për një nga nevojat më themelore të jetës.

“Ne nuk duam të largohemi nga vendlindja jonë. Ne duam ujë! Uji nuk është luks, nuk është privilegj dhe nuk duhet të kërkohet si favor. Uji është e drejtë dhe nevojë themelore për jetë.”

Banorët kërkojnë nga institucionet përgjegjëse që të ndërmarrin masa për përmirësimin e furnizimit dhe zgjidhjen e situatës, duke theksuar se Brezna meriton ujë dhe një jetë dinjitoze.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika