Qindra qytetarë deri më tani kanë raportuar në Administratën Tatimore të Kosovës, punëdhënësit që atyre nuk ua kanë paguar kontributet pensionale. Nga ATK-ja kanë konfirmuar për Express, që deri më tani kanë pranuar 102 thirrje për këtë çështje si dhe 29 ankesa përmes postës elektronike. Në ndërkohë në Kosovë vazhdon të jetë i lartë numri i punëtorëve që punojnë pa kontrata pune e duke mos iu paguar kontributet pensionale.
131 persona i janë përgjigjur thirrjes së ATK-së për të raportuar punëdhënësit që nuk ua kanë paguar kontributet pensionale. Me miratimin e Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike është lejuar edhe tërheqja e 10% të Trustit, gjë që ngjalli reagim tek qytetarët që kontributet e tyre nuk janë paguar nga punëdhënësit. Lidhur më këtë reagoi menjëherë ATK-ja që i ftoi qytetarët që ti raportojnë rastet e tilla.
Nga Zyra për Informim në ATK, kanë thënë për Express se përmes adresës elektronike kanë pranuar 29 ankesa, si dhe 102 thirrje nga punëtorët që nuk u janë paguar kontributet nga shefat e tyre.
“Numri i ankesave për mos pagës të kontributeve pensionale nga punëdhënësi deri më tani përmes adresës elektronike është 29. Ndërsa, thirrje ta pranuara në Qendrën e Thirrjeve deri dje ka qenë 102 thirrje. Këto thirrje përfshijnë vetëm numrin e thirrjeve denoncuese nga të punësuarit për punëdhënësit për mospagesë të kontributeve pensionale dhe mos regjistrim në listë të pagave”, thuhet në përgjigje.
E mbledhja e mjeteve nga punëdhënësit, sipas zyrtarëve të ATK-së do të bëhet përmes procedurave ligjore për mbledhje të detyrueshme.
Madje sipas tyre mundësia e fundit është edhe konfiskimi i pasurisë.
“Ne mund të ju konfirmojmë se në rastet kur kemi biznese të cilat nuk kanë arritur të paguajnë në kohë detyrimet tatimore dhe të KP, ATK-ja zhvillon procedurat e njëjta ligjore për mbledhjen e borxhit sikurse për tatime edhe për KP, pra zhvillohen të gjitha procedurat e mbledhjes së detyrueshme deri në procedurën e konfiskimit të pasurisë. Pra ATK zhvillon procedura të njëjta si për tatime dhe KP dhe nuk ka dallime në ketë drejtim”, thuhet më tutje në përgjigje.
Në ndërkohë më 4 dhjetor të këtij viti, Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të dytë Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike.
Përmes këtij projektligj mes të tjerash parashihet tërheqja e 10 për qind të kursimeve të tyre pensionale në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës – Trust./Gazeta Express/