Kryemamimi i Prizrenit, Orhan Bislimaj, ka reaguar pas publikimit të aktakuzës së Prokurorisë Speciale ndaj Fatmir Shehollit, i cili akuzohet për spiunazh dhe lidhje me BIA-n serbe.
Në aktakuzë, sipas Bislimajt, është përmendur edhe Prizreni, ndërsa në reagimin e tij ai është ndalur te një fototekst me shenjën “Top Secret 2”, i gjetur në telefonin e Shehollit, ku pretendohet se bëhet fjalë për ndërtimin e sa më shumë xhamive në Kosovë, me qëllim që vendi të shndërrohet në “Kandahar”.
Shkruan Dr. Orhan Bislimaj
Fenomeni Fatmir Sheholli, ana e kundërt…!
Më datë 25 gusht 2026, doli në publik aktakuza voluminoze e Prokurorisë Speciale kundër Fatmir Shehollit, për spijunazh dhe lidhje me BIA serbe.
Aty, përveç tjerash u goditën edhe xhamitë, përmes një fototeksti pamflet me shenjën “Top Secret 2” i gjetur në telefonin e tij, ku flet për ndërtimin e sa më shumë xhamive me qëllim që Kosova të bëhet si Kandahar, e që do të çojë në rikthimin e saj nën Serbi!?
1.
Edhe ashtu akoma nuk është bërë ekspertiza apo saktësia, por nëse e analizojmë kontekstin e pamfletit “Top Secret 2”, mund të konkludojmë se është përpilim nga vetë Sheholli, e jo nga BIA serbe, dhe atë për njërën prej tri arsyeve:
E para: E ka bërë si një ‘shpikje’ kreative e tij’, duke iu përgjigjur kërkesave të shefave të tij në BIA serbe, në lidhje me opsionet kundër shtetësisë së Kosovës;
E dyta: E ka bërë si bindje, ngase mund të jetë bashkëmendimtar me Lëvizjen e Deçanit dhe simotrat e saj, me idenë se publikimi i këtij pamfleti do ta forconte kauzën e tyre, me efekt përçarje, aq më shumë kur për këtë tekst, pati sinjalizuar ai farë Milazim Gashi në TV-Dukagjin, (qershor 2024); dhe
E treta: E ka përpiluar për hesape komercializmi, duke përzgjedhur temën që më së shumti ngjall interesim e atraksion te publiku, e që pastaj ta shesë sa më shtrenjtë te portalet.
Kjo bëhet akoma më bindëse, kur jepen fakte nga njohësit e gjuhës serbe se teksti “Top Secret 2”, sipas të gjitha gjasave është shkruar nga dikush që serbishten nuk e ka gjuhë amtare, përkatësisht është shkruar në shqip dhe është përkthyer në serbisht, e që do të ishte e kundërta sikur të ishte prej BIA.
2.
Në anën tjetër, pamfleti në fjalë “Top Secret 2”, nuk mund të jetë në planet e BIA serbe, së paku për tri arsye historike:
E para: Të gjithë historianët e thonë se islamizimi i shqiptarëve, në krye të herës, ka qenë pritë kundër sllavizimit të tyre, pra e ka mbrojtur shqiptarinë, e kundërta e asaj që e pretendon pamfleti dhe kjo tashmë është një e vërtetë historike;
E dyta: BIA serbe dhe Kisha Ortodokse Serbe, nën dirigjimet e Aleksandër Rankoviqit, kanë përgatitur listën për kompromentimin e hoxhallarëve, që duhej të realizohej deri më 1956 një përvjetor i fillimit të Evrokryqëzatave famëkeqe (1096), duke paraqitur fenë ose klerin si vegël të ndikimeve të huaja (turke, sllave etj.) me qëllim të zbehjes së fetarizmit dhe dobësimit të rezistencës kombëtare shqiptare. Edhe këto janë dokumente historike;
E treta: Okupatori serb e di më mirë se çdo kush tjetër se xhamitë kanë qenë pjesë identitare e shqiptarëve, ta zëmë njësoj siç janë sot te komuniteti boshnjak apo turk në Kosovë, andaj në mundësinë e parë që e pati, në vitin 1999, i rrënoi rreth 50 % të tyre, përfshirë selinë e BIRK-ut, e që nuk e ka bërë me kishat katolike e as me selinë e Ipeshkvisë. Nëse do të ishte interes ndërtimi i tyre, atëherë ç’kuptim kishte rrënimi.
3.
Po më vjen keq që disa vetje publike, kanë rënë pre e këtyre llakërdive të një spijuni klasik, duke i marrë për të mirëqena, thuajse nuk e dinë rolin e xhamive tek ne!?
Është përmend edhe Prizreni.
Prej dy dakadash, jam njëri prej atyre që kam kontribuar shumë në ndërtimin e xhamive në komunën e Prizrenit.
Le ta gjejnë një xhami, ku paskan ndikuar shehollat në ndërtimin e saj…!