RAJONI DHE BOTA

Biden: Izraeli s’është fajtor për shpërthimin në spitalin e Gazës

Biden: Izraeli s’është fajtor për shpërthimin në spitalin e Gazës
TV Prizreni
TV Prizreni
18 Tetor 2023, 15:08

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha të mërkurën se “të dhënat” tregojnë se Izraeli nuk është përgjegjës për një shpërthim që i la qindra të vdekur në një spital në Rripin e Gazës të martën mbrëma.

I pyetur nga gazetarët gjatë vizitës së tij në Tel Aviv të mërkurën se pse ishte i sigurt se Izraeli nuk qëndron pas kësaj, Biden tha: “Të dhënat që departamenti im i mbrojtjes m’i tregoi”.

Biden e nisi të mërkurën vizitën në Izrael në një përpjekje diplomatike që lufta me Hamasin të mos shndërrohet në një konflikt më të gjerë, një sfidë që është bërë më e vështirë pasi zemërimi u rrit në mbarë Lindjen e Mesme lidhur me shpërthimin në spitalin e Qytetit të Gazës.

Paraprakisht gjatë takimit me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahun, Biden tha se shpërthimi duket se nuk u shkaktua nga Izraeli.

“Bazuar në atë që kemi parë, duket se [shpërthimi] u krye nga një ekip tjetër, e jo ju”, tha Biden gjatë atij takimi.

Por, presidenti amerikan tha se kishte “shumë njerëz atje” që nuk ishin të sigurt se çfarë e shkaktoi shpërthimin.

Biden tha se SHBA-ja e ka bërë të qartë se qëndron me Izraelin, “por, doja që të vija personalisht ta bëja të qartë këtë”.

Lideri amerikan tha se shteti i tij do të sigurohet që Izraeli të ketë mjetet e duhura për të vazhduar që t’iu përgjigjet sulmeve të militantëve të Hamasit.

“Hamasi nuk përfaqëson popullin palestinez dhe gjithmonë u ka sjellë atyre dhimbje”, tha ai.

Ndërkaq, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, falënderoi SHBA-në për mbështetjen. Po ashtu, ai sërish krahasoi militantët e Hamasit me grupin militant, Shteti Islamik (IS).

Fillimisht, Biden ishte paraparë të vizitonte edhe Jordaninë, por takimet e tij me liderët arabë janë anuluar teksa ai u nis nga Uashingtoni.

Tani Biden do të qëndrojë vetëm në Izrael. Izraeli është duke u përgatitur për një pushtim të mundshëm tokësor të Gazës në përgjigje të sulmeve të grupit militant palestinez, Hamas, që kanë lënë të vrarë 1.400 izraelitë.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika