Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka përkujtuar masakrën e Reçakut, në 25 vjetorin e kësaj ngjarje e rëndë.
Begaj në rrjetin social facebook, ka publikuar një foto të tij gjatë dekorimit të ish-ambasadorit të OSBE në Kosovë William Walker, i cili ishte zyrtari i parë që vizitoi vendin e ngjarjes dhe pa masakrat e kryera në Kosovë.
Begaj e ka cilësuar këtë ditë si një zgjim për të gjithë botën, për të parë masakrat që regjimi i Sllobodan Millosheviqit ka kryer në Kosovë si dhe një ditë reflektimi ndaj barbarive ndaj njerëzimit.
Tutje presidenti i Shqipërisë ka thënë se 15 janari duhet të shërbejë si kujtesë për të mbrojtur paqen dhe sigurinë.
“Sot një çerekshekulli nga masakra e Reçakut, të lutemi për shpirtin e civilëve të pafajshëm, viktima të gjenocidit dhe të krimeve kundër njerëzimit të kryera nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit në Kosovë. 15 janari 1999, zgjoi botën për reflektim ndaj masakrave barbare që kryheshin në Kosovë. Kjo kujtesë sot është motiv i fortë për të mbrojtur paqen, sigurinë, lirinë e dinjitetin njerëzor nga çdo makineri dhune që ushqehet nga racizmi, ekspansioni dhe armiqësia ndaj tjetrit”, ka shkruar Begaj.