Në përpjekje për të siguruar një imunizim sa më të shpejtë të popullsisë dhe rikthim në normalitet të enjten, Bashkimi Evropian dhe Pfizer/BioNTech kanë firmosur një marrëveshje për të marrë edhe 1.8 miliardë doza të tjera deri më 2023.
Në një prej pikave të kontratës theksohet se vaksina duhet të jetë e prodhuar në Bashkimin Evropian, përfshi edhe lëndën e pare, duke u dhënë kështu një pavarësi të madhe bllokut.
“Me nënshkrimin tonë, kontrata e re ka hyrë tashmë në fuqi, një lajm i mirë për luftën tonë afatgjatë për mbrojtjen e qytetarëve evropiane kundër virusit dhe varianteve të tij. Kontrata të tjera të ngjashme do të nënshkruhen edhe me kompanitë e tjera ” , tha Presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen.
Lajmi për nënshkrimin e kësaj marrëveshje ishte bërë publik disa ditë, më parë por në atë kohë BE kishte siguruar dakordësinë vetëm për 900 milion doza dhe 900 milion të tjerë ishin ende potenciale.
Deri më sot BE ka marrë mbi 201 milionë doza – 150 milionë prej të cilave nga Pfizer dhe Biontech. Kjo është kontrata më e fundit që i shtohet 2.3 miliardë dozave të porositura nga Brukseli nga kompani farmaceutike të ndryshme. Deri në këto momente Agjencia Evropiane e Barnave ka miratuar përdorimin e Pfizer/BioNtech, AstraZeneca, Moderna dhe Johnson & Johnson, ndërkohë që po shqyrton vaksinën rusë Sputnik V dhe atë kineze të Sinopfarm.





