Policia e Kosovës ka njoftuar se pas bastisjes në shtëpinë e të dyshuarit për vrasjen e të mërkurës në Suharekë, janë gjetur dhe konfiskuar 47 fishekë dhe një shumë e parave të gatshme.
Sipas njoftimit, atij fillimisht i është konfiskuar një revole me 24 fishekë dhe disa gëzhoja.
Ai dyshohet se pas një konflikti verbal ka shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës. Viktima nuk arriti t’iu mbijetoj plagëve.
“Raportohet se i dyshuari mashkull kosovar pas një konflikti verbal, ka shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës. Viktima ka pësuar lëndime të rënda dhe është dërguar në spitalin e Prizrenit ku dyshohet se rreth orës 13:03 ka ndërruar jetë. I dyshuari është arrestuar dhe nga ai është konfiskuar një revole me 24 fishekë dhe disa gëzhoja. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë dërgohet në IML. Njësiti hetuesisë ka bastisur shtëpinë të dyshuarit ku ka gjetur dhe konfiskuar 47 fishekë dhe një shumë të parave të gatshme. I dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.