Një qytetar ka ngritur shqetësimin për problemet e vazhdueshme me furnizimin me ujë të pijshëm në rrugën “Reshat Karjagdiu”, ku, sipas tij, tash e një javë uji ndërpritet çdo natë nga ora 21:00 deri në orën 06:00 të mëngjesit.
Megjithatë, qytetari thotë se shqetësimi kryesor nuk është ndërprerja gjatë natës, por presioni tejet i ulët i ujit edhe pas rikthimit të furnizimit. Ai thekson se me sasinë dhe presionin aktual mund të lajë vetëm duart, ndërsa nuk arrin të kryejë as nevojat elementare higjienike dhe obligimet e përditshme në shtëpi.
“Detyrohem çdo ditë të shkoj te një familjar, rreth 7 kilometra larg, vetëm për t’u pastruar. Kjo nuk është normale”, shprehet qytetari.
Ai thekson se është pagues i rregullt i faturave të ujit dhe kërkon që edhe si konsumator të ketë furnizim të mjaftueshëm për nevojat bazë familjare.
“Ne i kryejmë pagesat ashtu siç kërkohet nga ne, por edhe ne si konsumatorë kemi të drejtë të kemi ujë, një nga gjërat më elementare të jetës. Nuk kërkoj që uji të mos ndërpritet gjatë natës, por kur të rikthehet furnizimi, të ketë presion të mjaftueshëm që t’i kryejmë obligimet tona në shtëpi”, thekson ai.
Sipas qytetarit, banorët e zonës kanë diskutuar edhe mundësinë e organizimit të një peticioni apo proteste për të shprehur pakënaqësinë e tyre, por ai ka vendosur që fillimisht ta adresojë këtë shqetësim publikisht.
Banorët presin që kompania përgjegjëse për ujësjellësin të reagojë dhe të ndërmarrë masa për përmirësimin e presionit të ujit, në mënyrë që të sigurohet furnizim i mjaftueshëm për nevojat elementare të familjeve.