Banorët e fshatit Gjonaj, përkatësisht të lagjes Gjonaj 3, në afërsi të shkollës, po përballen me probleme në furnizimin me energji elektrike tash e katër ditë, si pasojë e dëmtimeve të shkaktuara nga moti i keq, erërat e forta dhe reshjet atmosferike.
Sipas një ankese publike të kryetarit të Këshillit Lokal të fshatrave Gjonaj dhe Tupec, Herolind Osmanollaj, që nga dita e premte kjo pjesë e fshatit është duke u furnizuar vetëm me një fazë të energjisë elektrike.
Osmanollaj ka bërë të ditur se, pavarësisht kërkesave dhe thirrjeve të vazhdueshme drejtuar KEDS-it për intervenim dhe sanimin e problemit, deri më tani nuk është ndërmarrë ndonjë veprim që do të mundësonte rikthimin e furnizimit të rregullt me energji elektrike.
Situata është veçanërisht shqetësuese për shkak të ndikimit që po ka në funksionimin e institucioneve publike. Shkolla Fillore dhe e Mesme e Ulët “Zenun Çoçaj” në Gjonaj është detyruar ta zhvillojë procesin mësimor pa energji elektrike dhe me orar të shkurtuar, ndërsa vështirësi në funksionim po përballet edhe Qendra e Mjekësisë Familjare në këtë fshat.
Në reagimin e tij, Osmanollaj ka shprehur shqetësimin për faktin se dhjetëra familje, një institucion arsimor dhe një qendër shëndetësore po përballen me këtë gjendje për katër ditë radhazi.
Ai i ka bërë thirrje KEDS-it që ta trajtojë rastin me urgjencë dhe të dërgojë ekipet përgjegjëse në terren për të sanur defektin dhe për të rikthyer furnizimin e rregullt me energji elektrike.
Banorët kërkojnë zgjidhje sa më të shpejtë të problemit, duke theksuar se furnizimi i qëndrueshëm me energji elektrike është domosdoshmëri, veçanërisht për institucionet arsimore dhe shëndetësore.
Deri në momentin e publikimit të këtij reagimi, nuk është bërë e ditur nëse KEDS ka ndërmarrë ndonjë intervenim për sanimin e problemit.