LAJME

Bajrami: Mungesa e investimeve kapitale flet më shumë se çdo propagandë qeveritare

Bajrami: Mungesa e investimeve kapitale flet më shumë se çdo propagandë qeveritare
TV Prizreni
TV Prizreni
12 Tetor 2026, 13:08

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) e ka kritikuar Qeverinë për mungesë të realizimit të investimeve kapitale të planifikuara. 

Sipas nga një miliard euro për investime kapitale të planifikuara, vetëm 192 milionë euro janë realizuar deri më 1 shtator. 

“Nëse doni ta kuptoni pse edhe pas gati gjashtë vitesh qeverisje, kjo Qeveri nuk ka arritur t’i përfundojë projektet e mëdha kapitale, shikoni të dhënat e vetë Ministrisë së Financave. Sipas këtyre të dhënave, nga rreth një miliard euro të planifikuara për investime kapitale në buxhetin e vitit 2026, deri më 1 shtator janë shpenzuar vetëm 192 milionë euro nga niveli qendror”, ka shkruar Bajrami.

Ndërkohë ajo ka thënë se për subvencione dhe transfere janë shpenzuar 908 milionë euro, nga 1.3 miliardë të planifikuara.

“Këto shifra flasin më shumë se çdo propagandë qeveritare! Ku janë investimet që krijojnë zhvillim ekonomik, vende pune dhe mirëqenie afatgjatë? Qytetarët kanë nevojë për rrugë, shkolla, çerdhe, spitale e infrastrukturë, jo vetëm për miliarda të shkruara në letër”, ka shkruar Bajrami. 

Ajo ka thënë se për të qenë shtet social, duhet të kesh një ekonomi të zhvilluar që mund ta financojë atë.

“Ka vite që kjo qeveri mbështetet në të hyrat që gjeneron sektori privat, ndërkohë që investimet publike mbeten shumë prapa, por pa investime publike, pa infrastrukturë dhe pa kushte për zhvillimin e bizneseve, rrezikojmë ta dobësojmë këtë sektor që krijon vende pune dhe e mbush buxhetin e shtetit. Dhe pyetja është shumë e thjeshtë: Nëse sot nuk investojmë në zhvillim, nesër prej nga do t’i marrim paratë për t’i financuar politikat sociale?”, ka shkruar tutje Bajrami. 

Sipas saj varfëria nuk luftohet vetëm duke shpërndarë para, por duke krijuar zhvillim, punësim dhe mundësi.

Ndërsa sipas Bajramit komunat, “edhe pse marrin vetëm rreth 20% të buxhetit të përgjithshëm, kanë realizuar 137 milionë euro investime kapitale deri më 1 shtator”.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika