LAJME

Avokati i Popullit nis hetimet në lidhje me pretendimet për keqtrajtim të të arrestuarve gjatë festimit të Vidovdanit në Gazimestan

Avokati i Popullit nis hetimet në lidhje me pretendimet për keqtrajtim të të arrestuarve gjatë festimit të Vidovdanit në Gazimestan
TV Prizreni
TV Prizreni
7 Korrik 2026, 09:58

Avokati i Popullit ka njoftuar se bazuar në ankesat e pranuara, informatave të dërguara nga organizata të ndryshme jo-qeveritare, si dhe informatave të mbledhura nga mediat, ka vendosur hapjen e hetimeve sipas detyrës zyrtare, lidhur me pretendimet për keqtrajtim nga zyrtarët policorë të të arrestuarve gjatë festimit të Vidovdanit në Gazimestan më 28 qershor 2026.

“Institucioni i Avokatit të Popullit ka hapur hetime lidhur me pretendimet e publikuara dhe ankesat e pranuara nga disa qytetarë, të arrestuar nga Policia e Kosovës, se janë ekspozuar ndaj dhunës fizike dhe psikike gjatë transportimit të tyre në stacion policor, si dhe se ndaj tyre janë cenuar edhe të drejta të tjera të garantuara me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Hetimet janë iniciuar me qëllim të verifikimit të fakteve dhe rrethanave të rastit, si dhe për të vlerësuar nëse gjatë trajtimit të personave të arrestuar janë respektuar standardet kushtetuese, ligjore dhe ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.” – thuhet në njoftim.

Institucioni i Avokatit të Popullit rithekson se çdo person i privuar nga liria duhet të trajtohet me dinjitet dhe në përputhje me parimin e ndalimit absolut të keqtrajtimit fizik, trajtimit ose ndëshkimit çnjerëzor apo poshtërues. Çdo pretendim për përdorim të tepruar të forcës ose për shkelje të të drejtave të personave të privuar nga liria kërkon një hetim të pavarur, të paanshëm, efektiv dhe të shpejtë.

Në kuadër të hetimeve, Institucioni i Avokatit të Popullit thekson se do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, duke përfshirë mbledhjen e informatave dhe dokumentacionit përkatës nga autoritetet kompetente, në përputhje me mandatin kushtetues dhe ligjor të Institucionit.

Pas përfundimit të hetimeve, Institucioni i Avokatit të Popullit thotë se do ta informojë opinionin publik dhe palët e interesuara për gjetjet dhe rekomandimet përkatëse, në përputhje me kompetencat e tij ligjore.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika