Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka publikuar Opinionin lidhur me njohjen e bashkësive fetare dhe rregullimin e statusit të tyre juridik në Republikën e Kosovës.
Opinioni është publikuar pas shqyrtimit të ankesës së Bashkësisë së Tarikateve të Kosovës, e cila kishte të bënte me pamundësinë e deklarimit të veçantë të përkatësisë fetare gjatë Regjistrimit të Popullsisë 2024.
Sipas Avokatit të Popullit, kjo pamundësi lidhet me boshllëqet në kuadrin aktual ligjor, i cili nuk ofron një mekanizëm efektiv për regjistrimin dhe fitimin e personalitetit juridik të bashkësive fetare. Sipas Opinionit, kjo situatë krijon pasoja praktike dhe juridike edhe në ushtrimin e lirë të veprimtarisë së tyre.
Në Opinion është konstatuar gjithashtu se formulimi i pyetjes për përkatësinë fetare në Regjistrimin e Popullsisë 2024 nuk e garanton plotësisht të drejtën për vetë-identifikim fetar dhe nuk e pasqyron në mënyrë të plotë pluralizmin fetar në Kosovë.
Avokati i Popullit vlerëson se përfshirja e vetëm disa bashkësive fetare dhe grupimi i bashkësive të tjera në kategorinë “Tjetër” kufizon dukshmërinë institucionale të tyre dhe mund të krijojë trajtim të pabarabartë.
Në këtë drejtim, Qelaj kërkon nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës që të ndërmarrin hapat e nevojshëm për miratimin e një kuadri të plotë ligjor për regjistrimin dhe statusin juridik të bashkësive fetare, me kritere objektive, transparente dhe jodiskriminuese.
Ky kuadër, sipas Opinionit, duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias.
Avokati i Popullit u ka bërë thirrje institucioneve publike që në proceset e ardhshme të mbledhjes së të dhënave statistikore dhe hartimit të politikave publike të respektojnë të drejtën për vetë-identifikim, barazinë para ligjit dhe ndalimin e diskriminimit.
Në përfundim, Avokati i Popullit ka theksuar se pluralizmi fetar, autonomia e bashkësive fetare dhe trajtimi i barabartë i tyre janë elemente thelbësore të një shoqërie demokratike dhe të respektimit të lirisë së besimit, ndërgjegjes dhe fesë.
Komunikata e plotë: https://bit.ly/4ytVc9X