Ish-deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli thotë se kriza politike që mbizotëroi në vend gjatë vitit 2020 mban emrin e Isa Mustafës.Avdyli, i cili është pjesë e listës së Vjosa Osmanit e që garojnë me Lëvizjen Vetëvendosje, thotë se kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa është përgjegjës edhe për situatën e krijuar në LDK, e që rezultoi me largimin e tij, të Vjosa Osmanit dhe disa personaliteteve të tjera nga kjo parti.
Zgjedhjet e 14 shkurtit për Avdylin janë pikëkthesa e madhe edhe për vet LDK-në, pasi siç thotë ai, do të vuloset rënia e Isa Mustafës.
Avdyli shprehet i bindur se në këto zgjedhje do të sigurojnë 60 deputetë dhe rrjedhimisht edhe postin e presidentit dhe atë të kryeministrit.“Nëse gjatë vitit 2020 kriza ka emër, atëherë ky emër është Isa Mustafa. Ky politikan i karrierës, i cili vjen nga një karrierë e gjatë politike, që nga vitet 80-ta e deri më tani, në të shumtën e rasteve ka gabuar, duke filluar edhe nga e kaluara, duke vendosur vija të kuqe e duke i shkelur ato me dy këmbë, vijat e kuqe me PDK-në.
Atij nuk i besohet sa herë që thotë diçka sepse e ka dëshmuar në të kaluarën se është i papërgjegjshëm me deklaratat e tij, por është shumë i zoti në manipulimet me njerëz dhe pazaret e ndryshme politike, mbi interesat personale dhe grupore. Dëshira e tij e fundit ka qenë që të jetë president, por kjo nuk do t’i plotësohet sepse ai nuk e ka besimin qytetar, nuk e ka guximin që të del dhe të matet”, tha ai.
Sipas tij, LDK-ja nuk mund të kthehet në frymën “rugoviane” pa largimin e Isa Mustafës nga kjo parti, për çka shprehet i bindur se do të ndodh së shpejti.
“LDK-ja pas zgjedhjeve e ka shansin që të këndellet, pa Isa Mustafën dhe pa bashkëmendimtarët e tij. […] Ne tani jemi në mes të një procesi zgjedhor, ne tani e kemi vetëm pikën e zgjedhjeve, fitoren sa më të madhe të zgjedhjeve. Dhe, mendoj se kjo fitore do të jetë lajm i mirë edhe për LDK-në sepse rënia e Isa Mustafës varet edhe nga këto zgjedhje, sepse ky njeri e meriton që të shkojë në pensionimin e tij të vonshëm politik dhe mendoj se me ikjen e Isa Mustafës, LDK-ja do të arrijë të konsolidohet dhe të jetë një akter i mirë në skenën politike dhe t’i kthehet vlerave të saj burimore, rugoviane”, potencon ai.Nga takimet me qytetarë që subjektet politike po zhvillojnë, Avdyli thotë se dëshmojnë më së miri vullnetin e qytetarëve për ndryshim.Duke u bazuar te atmosfera që thotë se po e has në teren, Avdyli beson se do të arrijnë të sigurojnë mbi 60 deputetë dhe se Vjosa Osmani e Albin Kurti do të jenë në pozitat për të cilat garojnë.
“Ne besojmë që vullneti i qytetarëve do të shkojë deri në fund dhe besojmë në një fitore plebishitare dhe me një votim të tillë, siç po e hasim edhe në teren, një rikthim kaq të madh të qytetarëve ndaj një ndryshimi potencial në Kosovë, neve na jep shpresë që ky besim do të përkthehet në votë, e cila do të krijojë premisa për zgjedhje të presidentit. Ne tani në këto zgjedhje nuk jemi duke u futur vetëm për qeverinë, por edhe për zgjedhjen e presidentit, i cili mandat u.d. i përfundon në maj të këtij viti.
Mendoj që verdikti qytetar më 14 shkurt, numri i madh i votave që do të jap mbi 60 deputetë, bashkë me pakicat dhe me deputetë të vullnetit të mirë të partive të tjera, ne do të arrijmë të kemi prezencën e 80 deputetëve në sallë dhe 61 votat e nevojshme për zgjedhjen e presidentes të re, e cila do të jetë Vjosa Osmani dhe kryeministër Albin Kurti”, shprehet ai.Avdyli shprehet i bindur se së bashku me Lëvizjen Vetëvendosje do të bëjnë më të mirën për të sjellë ndryshimin e kërkuar nga qytetarët. Shëndetësia, arsimi dhe ambienti janë tri fushat në të cilat zotohet se do të jap kontributin e tij maksimal, meqenëse janë edhe prioritete e tij për mandatin e tretë me radhë si deputet, të cilin synon ta marrë në zgjedhjet e 14 shkurtit. /KP/