Arsenali i armëve që u shpalos nga Policia e Kosovës, është gjetur në zonat përreth varrezave masive të zbuluara së fundmi në Zubin-Potok, ka bërë të ditur ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Në konferencën për shtyp, Sveçla ka bërë të ditur se armët, municionet e pajisjet ushtarake janë hasur në afër zonave ku u gjetën mbetjet mortore të 23 personave.
“Sekuestrimi i armatimit dhe zbulimi i tri varrezave masive ka ardhur si rezultat i një hetimi intensiv të institucioneve që u ka paraprirë shtrirja e sovranitetit edhe në veri, sundimi i ligjit dhe bashkëpunimi institucional. Zbulimi i varrezave masive ka nxjerrë në pah dimensionin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë. Veriu i vendit pos që ishte skenë e krimeve, maltretimeve… u shfrytëzua edhe për fshehje të trupave”, ka thënë Sveçla.
Sipas njoftimit të tij, mbetjet mortore të 23 personave u gjetën në tri lokacione ku po kryheshin gërmime – 13 në të parin, katër në të dytin dhe gjashtë në të tretin.
Sveçla ka thënë se Kosova s’do të ndalet së kërkuari drejtësi për viktimat e luftës.
Ai ka thënë se heshtja e Serbisë dhe e Listës Serbe për zhvillimet e fundit në veri, tregon mbështetje për planifikuesit, organizatorët dhe realizuesit e akteve të rënda.
“Është shqetësuese heshtja e shtetit të Serbisë dhe dorës së saj të zgjatur në Kosovë, Listës Serbe, për këto zhvillime, pra për varrezën masive dhe armët e konfiskuara. Heshtja e tyre në fakt është mbështetje e hapur për planifikuesit, organizatorët dhe realizuesit e tyre”, ka deklaruar Sveçla.
Sveçla ka bërë të ditur po ashtu se për armatimin e kapur do të kryhen hetime e ekzaminime për të përcaktuar origjinën dhe mundësinë e lidhjes së tyre me çështjen e të zhdukurve, mbetjet mortore të të cilëve janë gjetur së fundmi.
“Armatimi që shihni sot para jush është gjetur në 12 lokacione të ndryshme. Nga sot ai do t’i nënshtrohet ekzaminimit dhe analizave të detajuara me qëllim të përcaktimit të origjinës, përdorimit dhe lidhjeve me rastet e hetuara përfshirë edhe ekzaminimin e së paku 23 personave por edhe rasteve të tjera kriminale”, ka thënë tutje ministri në detyrë./KOHA/