Një shtetas i Republikës së Kosovës, me inicialet F.S., është arrestuar në pikën kufitare në Merdare, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Spiunazh”.
Sipas Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, arrestimi është kryer me urdhër të saj nga hetuesit policorë të Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, pas veprimeve hetimore të ndërmarra nga autoritetet kompetente.
Prokuroria Speciale, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka bërë të ditur se do të vazhdojë me ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore për të zbardhur plotësisht rrethanat e rastit.
Institucionet kanë riafirmuar përkushtimin për luftimin dhe ndjekjen penale të personave për të cilët ekzistojnë dyshime të bazuara për përfshirje në veprimtari të kundërligjshme, veçanërisht në rastet që mund të cenojnë sigurinë kombëtare.