Politikani serb i Kosovës, Aleksandar Arsenijeviq, lider i partisë Demokracia Serbe është arrestuar e më pas është liruar nga Policia e Kosovës.
Arsenijeviqit i është shqiptuar tiketë për moszbatim të urdhërit policor.
Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar shefi i Operativës Rajonale në Mitrovicë të Veriut, Petrit Fejza.
“Po, është arrestuar. Është arrestuar për shkak të moszbatimit të urdhrit të policisë. Iu ka shqiptuar një tiketë, por është liruar më pas. Këtij i kanë thënë që kordonin e policisë nuk bën me kalu, ky e ka kaluar, pra nuk e ka zbatuar atë që i kanë thënë policia” – tha Fejza.
Arsenijeviq në një postim gjatë ditës në rrjetin social Facebook ka pretenduar se një qytetar serb është lënduar fizikisht nga Policia e Kosovës në Leposaviq. Ai më pas ka protestuar në sheshin e Mitrovicës së Veriut.
Lidhur me këtë çështje, KALLXO.com ka dërguar pyetje edhe në Policinë e Kosovës por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka pranuar ndonjë përgjigje.
Ai ka kërkuar hetim dhe transparencë të plotë në lidhje me rastin.
“Kërkojmë nga institucionet relevante, sidomos Eulex, që urgjentisht të reagojnë, të kryejnë hetim të paanshëm, të ofrojnë ndihmë adekuate mjekësore për Vladimir Djordjeviq dhe të mundësohet transparencë e plotë në këtë rast. Gjithashtu apelojmë tek përgjegjësit që të parandalojnë fshehjen e fakteve dhe të sigurojnë drejtësi për të gjithë qytetarët që janë ekspozuar ndaj veprimeve të tilla”- ka shkruar ai në Facebook.
Ndaj këtyre pretendimeve ka reaguar Shefi i EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano i cili është shprehur i shqetësuar me rastin.
“Thellësisht i shqetësuar nga raportet shqetësuese në lidhje me keqtrajtimin e supozuar të një personi të arrestuar në Soqanicë. Edhe pse EULEX-i nuk është më i mandatuar për të kryer hetime, ne jemi të përkushtuar për rolin tonë të fuqishëm monitorues, duke bërë çdo përpjekje për të hedhur dritë mbi rastin”- ka thënë ai./Kallxo.com/