Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi, ka kritikuar partinë në pushtet në Kosovë, Lëvizjen Vetëvendosje, duke thënë se po ka një qasje destruktive dhe përçarëse në Luginë.
Arifi duke folur për emisionin “60 Minuta” në KTV ka kritikuar zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi dhe ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, që nuk e vizituan Komunën e Preshevës fillimisht, porse nisën vizitën e tyre në Bujanoc.
“Qeveria e Kosovës nëpërmjet kësaj e ka injoruar Komunën e Preshevës. Është takuar me përfaqësues shqiptarë në Bujanoc. Nuk e kam parë të arsyeshme në emër të popullit tim këtu në Preshevë, që është injoruar dhe nënçmuar nga mosprezenca e dy ministrave të kabinetit qeveritar, të marrë pjesë në atë takim të liderëve. Është qasje reciproke, pasi kam parë tentativë të qartë për ta anashkaluar Preshevën, për të cilën ndiejë keqardhje”, ka thënë Arifi.
Arifi ka thënë se arsye për këtë anashkalim është, pasi sipas tij, Vetëvendosja nuk i do kritikat. Ai ka thënë se ndër kritikat e tij që ka pasur ndaj Qeverisë së Kosovës të drejtuar nga kryeministri Albin Kurti është puna e reciprocitetit me Serbinë. Arifi thotë se reciprociteti nuk fillon me targa dhe nuk mbaron me dokumente udhëtimi.
“Ata jetojnë prej asaj që me i lavdëruar secili. Rezultatet e zgjedhjeve të fundit i kanë bërë paksa të verbër prej suksesi, nuk kanë nevojë për kritika e njerëz si unë që kritikon në mënyrë racionale. Unë mendoj se reciprociteti me Serbinë nuk fillon me targa dhe mbaron me dokumentacion kufitar. Për mua reciprociteti është esencial. Nëse shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk kanë të drejtë t’i përdorin simbolet kombëtare, atëherë të mos kenë të drejtë t’i përdorin as serbët në veri të Kosovës. Nëse shqiptarët e Luginës pasivizohen, atëherë duhet pasivizuar edhe serbët në veri të Kosovës. Nëse Qeveria e Serbisë investon 400-500 milionë dollarë në veri të Kosovës në 10-15 vjetët e fundit, atëherë këto investime duhet të bëjë edhe Qeveria e Kosovës në Luginë. Nëse ka vende të rezervuara për serbët në Parlament të Kosovës atëherë duhet të ketë edhe për shqiptarët në parlament të Serbisë. Kjo është për të kritikuar. Ka shumë hapësirë edhe për kritika ndaj Vetëvendosjes për politikë të brendshme, por nuk po hyjë aty. Këtu unë shoh një qasje selektive, përçarëse, në një situatë ku shqiptarët e kanë të vështirë pasivizimin, diskrimimin qe 30 vjet, tash na shtohet edhe një gajle, që VV-ja po do qasje destruktive e përçarëse brenda Luginës së Preshevës. Kjo është për t’u shqetësuar”, ka thënë Arifi.
Arifi ka thënë se të gjithë kryeministrat, presidentët e ministrat shqiptarë, kur kishin vizituar Luginën e Preshevës, destinacionin e parë e kanë pasur Komunën e Preshevës.
“Çdo zyrtar shtetëror deri tash ka filluar vizitë në Komunë Preshevës e jo diku tjetër. Është parim. Kjo është paprecedent, as qeveria Rugova, as Thaçi e tjera, nuk ka ndodh të fillojë takimet diku tjetër përpos në atë vend ku është vendosur Lapidari, në atë vend ku gjithashtu është filluar e zhvilluar lufta e UÇPMB-së ku numri i shqiptarëve është më i madh, jemi 98 për qind shqiptarë. Këtu kanë filluar vizitën çdo ministër 15 vjet fundit. Ata nuk kanë mundur të mbajnë pushtet një klasë të vjetër politike, që ka qenë për 30 vjet këtu. E tash prej inati që nuk ka mundur të mbajë pushtet, nuk shkojnë me vizitu e as nuk dërgojnë para”, ka thënë Arifi, duke shtuar se Qeveria e Kosovës duhet të ndajë dy milionët eurot që ka premtuar e jo të bëjë përçarje.
Ai thotë se kjo qasje selektive ka nisur në prill të këtij viti, kur Arifi kishte fituar zgjedhjet në Preshevë. Ai veçanërisht ka kritikuar ministrin e Infrastrukturës, Liburn Aliu.
“Keni parë që VV-ja me në front Liburn Aliun ka tentuar të ndërhyjë në mënyrë flagrante në proceset demokratike të ndryshimit të pushtetit lokal në Komunën e Preshevës dhe nga ai moment e këndej, VV-ja është totalisht destruktive. Kemi kërkuar nga prilli kur kemi ardhur në pushtet lokal, që të takohemi me Qeverinë e Kosovës. Nuk është pranuar. Ka pasur nga komuna e Gjilanit, kryetari i Gjilanit ka pasur me vizituar Preshevën, por në moment të fundit është ndaluar nga Liburn Aliu. Në këtë formë VV-ja do me u hakmarrë, e nuk i dërgon as 2 milionë euro që si Qeveri e Kosovës e ka marrë vendim vitin e kaluar.