Fillimi i negociatave për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe është bërë kërkesë e zëshme ditëve të fundit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.
Të dy këta partnerë strategjik të Kosovës përmes deklaratave për media theksuan se Asociacioni është obligim ligjor i Kosovës.
Sipas analistëve politikë, ky qëndrim vjen pas zhvillimeve të fundit të Qeverisë së Kosovës lidhur me veriun e vendit, pasi nuk u shty afati për zbatimin e marrëveshjes për targat.
Për profesorin e integrimeve evropiane, Dritëro Arifi, kërkesa për Asociacionin është një goditje e re për ekzekutivin kosovar.
Ai për Klankosova.tv ka pohuar se SHBA-ja nuk ka qenë më e drejtëpërdrejtë se tani ndonjëherë me Kosovën.
“Duke u nisur prej një vendimi teknik që të implementohet në tërësi, tash na doli edhe një kërkesë politike, një parakusht kjo nuk është as kusht, pra që të plotësohet një kërkesë ligjore, një obligim ligjor që e ka marrë Republika e Kosovës që të themelohet menjëherë formimi i Asociacionit të Komunave Serbe, pra me një strategji jashtëzakonisht të gabuar Qeveria e Kosovës e prodhoi një efekt politik të padëshirueshëm në këtë fazë, e cila do të thotë edhe pa njohjen e Serbisë, ne do të detyrohemi që ta formojmë Asociacionin për të qetësuar situatën në veri. Pra po tregon edhe njëherë skajshmëritë një amaterizëm në politika strategjike të Republikës së Kosovës”,ka thënë Arifi.
“Nga ky aspekt kur po themi ka pasë një kërkesë eksplicite edhe të BE-së, por sidomos të SHBA-ve që sa më shpejtë të formohet Asociacioni dhe të shtyhet vendimi për targat, pra më drejtëpërdrejtë se kaq nuk kemi parë që ende SHBA-të kanë qenë me Republikën e Kosovës”.
Sipas Arifit, përgjegjësia për themelimin ose jo të Asociacionit i bie drejtpërdrejtë Qeverisë së Kosovës, e cila sipas tij, e ka edhe për obligim ta themelojë statutin në bashkëpunim me komunitetin serb.
“Themelimi i Asociacionit nuk mund të fillojë nëse nuk ka një dakordancë mes Qeverisë së Kosovës dhe përfaqësuesve serbë në tërësi të Kosovës. Pra, duhet të përzgjidhen disa ekspertë nga ky komunitet që duhet të bëjnë draftstatutin që duhet po ashtu gjithsesi të kalojë nën llupën e Gjykatës Kushtetuese, se a është në përputhshmëri me të gjitha ligjet aktuale në Kosovë. Pra duhet të ketë një dakordancë politike se a mund të vazhdohet me procedurat politike, por kjo varet se si Qeveria e Kosovës dëshiron ta themelojë dhe a dëshiron ta themelojë, kjo varet nga vullneti politik që ekziston në Republikën e Kosovës. Por përgjegjësia për themelimin ose jo të Asociacionit i bie drejtëpërdrejtë Qeverisë së Kosovës, e cila e ka edhe për obligim ta themelojë statutin në bashkëpunim me komunitetin serb”, ka thënë Arifi.
Në rast të formimit të Asociacionit, Arifi ka treguar se si mund të bëhet kjo.
“Asociacioni është obligim ndërkombëtar që ne e kemi marrë me parimet e vitit 2013, që është votuar edhe në Parlamentin e Republikës së Kosovës, andaj Asociaconi duhet të jetë konform Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe ligjeve në fuqi. Pra, asgjë nuk guxon të tejkalohet nga këto vija, duhet të themelohet një asociacion duke u bazuar gjithmonë në parime kushtetuese, edhe gjykata Kushtetuese e ka rekomanduar që të largohen nenet e drafstatutit të parë por gjithsesi asocaiconi mund të bëhet vetëm duke u bazuar në Kushtetutën edhe ligjet në fuqi, aq sa lejojnë të mos ketë pushtet të ndërmjetëm mes pushtetit qendror dhe atij lokal”.
Kurse, opinionisti politik Ilir Ibrahimi për Klankosova.tv ka deklaruar se thirrjet e SHBA-së dhe BE-sëvijnë si rezultat i hapave të njëanshëm të Qeverisë së Kosovës në relacion me pjesën veriore të vendit.
“Edhe pse kemi pasur një kërkesë të drejtpërdrejt nga SHBA dhe BE, qeveria ka zgjedhur ta injorojë atë dhe të vazhdojë kokë me vete. Çështja e veriut nuk është një problem teknik, por një problem i komplikuar politik dhe çdo hap në atë pjesë duhet të ndërmirret në koordinim me ndërkombëtarët”,ka thënë Ibrahimi.
“Padyshim ky është një mesash për këtë qasje kokëfortë dhe të pamenduar të qeverisë. Është absurd që po e njëjta qeveri, kur ka nevojë për ruajtje të sigurisë I bën thirrje KFOR, dhe në të njëjtën kohë, kur këto vende që përbëjnë KFOR-in bëjnë ndonjë kërkesë, qeveria të sillet si sovraniste. Kosova çdo gjë që ka arritur deri sot, e ka bërë bazuar në një politikë të urtë, të mençur dhe në bashkërendim me faktorin ndërkombëtar. Një qasje kryeneçe, kokë me vete dhe pa koordinim, e rrezikon veriun e vendit më së paku, por edhe rreshtimin e vendit në anën e drejt”.
Ibrahimi ka theksuar se qeveria urgjentisht duhet të fillojë një bashkërendim të hapave të ardhshëm me faktorin ndërkombëtar, dhe të mos e lejojë që situata të përkeqësohet edhe më tej.
“Tanimë po shihet që vendimi për targa nuk ka përkrahje, madje ka kundërshtim të ashpër. Ky vendim duhet të rishikohet dhe të plotësohen kërkesat e faktorit ndërkombëtar. Nëse themelimi I asociacionit do të bëhet nën një presion të tillë, atëherë s’do mend se nuk do të jetë një zgjidhje e mirë. Po shpresoj që qeveria e ka mësuar një mësim dhe të mos bëj gabime të tilla të cilat mund ta vënë në pikpyetje fatin e gjeneratave të ardhshme”.
“Gjykata Kushtetuese i ka dhënë disa kontura mbi të cilat do të duhej të draftohej statuti I asociacionit. Fatkeqësisht, as qeveritë e kaluara, e as kjo e tanishmja nuk kanë treguar proaktivitet që të fillojnë në draftimin e atij statuti. Tani kemi një kërkesë nën presion. Në raste të tilla nuk ka më proaktivitet sepse duhet të reagosh në kërkesa të drejtpërdrejta. Ky nuk është pozicion I mirë. Personalisht unë e favorizoj një zgjidhje bazuar në ripërkufizim të kufijve sesa çfarëdo asociacioni. Por për zgjidhje të tilla kërkohet lidership dhe pragmatizëm e jo shkurtpamësi e populizëm”, ka thënë Ibrahimi.
Pas fillimit të zbatimit për vendimin për targat, Lista Serbë është tërhequr nga institucionet qendrore të Kosovës, si dhe në katër komunat veriore të vendit. Po ashtu, edhe zyrtarë të policisë serbë janë larguar nga Drejtoria Rajonale e Policisë së Kosovës në Mitrovicë të Veriut, ndërsa detyrën e kanë dhënë 10 prokurorë të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë të Veriut.