Ambasadori palestinez në Beograd, Mohamed Nabhan e ka kritikuar ashpër Kosovën, e cila e ka hapur ambasadën e saj në Jerusalem.
Nabhan tha se Kosova, e cila, thotë ai, “nuk është ende shtet”, ka filluar shkeljen e ligjit ndërkombëtar në dëm të popujve të tjerë, jo vetëm në Ballkan, por edhe në Lindjen e Mesme. Ai ka kërcënuar se kjo qasje nuk do të mbetet pa u ndëshkuar.
“Është sulm ndaj të drejtave tona dhe njerëzve tanë. Kosova kështu po i shkel të drejtat e popullit palestinez për shtetin dhe kryeqytetin e saj. Prishtina po shkel po ashtu të drejtën ndërkombëtare, sepse Jerusalemi është okupuar nga Izraeli që nga viti 1967, dhe që një vend të bëhet anëtar i organizatave ndërkombëtare dhe Kombeve të Bashkuara, duhet t’i përmbahet të drejtës ndërkombëtare”, ka thënë Nebhan në intervistë për “Kosovo Online”.
Ai paralajmëroi se do të ndërmarrin hapa “që nuk do t’i pëlqejnë Kosovës”.
“Sigurisht se unë jam në konsultim me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Palestinës dhe duke filluar nga sot, ne do të ndërmarrim hapa që nuk do t’i pëlqejnë Kosovës, në nivelin e Ligës Arabe dhe Bashkëpunimit Islamik. Kosova nuk është anëtare e asnjërës prej këtyre organizatave, por shumë prej tyre e kanë pranuar të ashtuquajturën Kosovë, dhe do të kërkojmë nga ato vende që tash ta shqyrtojnë vendimin e tyre për pranimin e Kosovës”, tha Nebhan.
“Padyshim, Kosova ka një peng në lojëra të ndryshme që janë në dëm të popujve tanë, jo vetëm në Ballkan por edhe në Lindjen e Mesme dhe kjo nuk do të mbetet pa u ndëshkuar”, tha tutje Nabhan.
Ai tha gjithashtu se do të kërkojnë nga vendet anëtare të organizatave ndërkombëtare që t’i rishqyrtojnë vendimet e tyre për ta njohur Kosovën si shtet të pavarur.