Ambasada e Kosovës në Abu Dabi ka njoftuar se po ndjek nga afër situatën e krijuar nga bllokada e hapësirës ajrore në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe se është në komunikim të pandërprerë me autoritetet vendase dhe institucionet shtetërore në Kosovë për të shqyrtuar opsionet më të shpejta dhe më të sigurta për evakuimin e mundshëm të qytetarëve kosovarë.
Sipas njoftimit zyrtar, ambasada është gjithashtu në koordinim të ngushtë me Ambasadën e Kosovës në Riad, me qëllim përgatitjen e procedurave të nevojshme në rast se evakuimi bëhet i domosdoshëm.
Ambasada u ka bërë thirrje të gjithë shtetasve të Republikës së Kosovës që ndodhen aktualisht në territorin e Emirateve – si vizitorë të bllokuar ashtu edhe rezidentë – dhe që ende nuk janë paraqitur pranë misionit diplomatik, ta kontaktojnë ambasadën.





