LAJME

Albulena Haxhiu bën homazhe për Ukshin Hotin: Liria nuk dhurohet, për të veprohet

Albulena Haxhiu bën homazhe për Ukshin Hotin: Liria nuk dhurohet, për të veprohet
TV Prizreni
TV Prizreni
17 Qershor 2026, 14:24

Sot, në ditëlindjen e veprimtarit dhe intelektualit, Ukshin Hoti, ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë homazhe në Shtëpinë Muze të tij, duke nderuar jetën dhe veprën e një prej figurave më të shquara të historisë së re shqiptare.

Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu e vlerësoi Hotin si një nga mendjet më të ndritura dhe patriotët më të përkushtuar të kombit, duke theksuar se ai e vuri dijen në shërbim të lirisë dhe të interesit të përgjithshëm. Sipas saj, ai u dallua për guximin, mençurinë dhe përkushtimin e tij të palëkundur në mbrojtje të së drejtës së popullit për vetëvendosje dhe dinjitet kombëtar.

Haxhiu nënvizoi se Ukshin Hoti e artikuloi qartë idenë se liria nuk dhurohet dhe as nuk kërkohet me përulje, por kërkon veprim dhe angazhim. Ajo shtoi se ky mesazh ka frymëzuar breza të tërë dhe vazhdon të mbetet udhërrëfyes për rrugëtimin e Republikës së Kosovës.

Në përfundim, ushtruesja e detyrës së presidentes shprehu nderim për figurën e profesorit, duke thënë: “Lavdi jetës dhe veprës së profesorit Ukshin Hoti”.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika