Me përfundimin e numërimit të të gjitha votave nga zgjedhjet e 7 qershorit, Lëvizja Vetëvendosje si e vetme, me 53 deputetë dhe me deputetët e pakicave (përjashto Listën Serbe), mund ta formojmë Qeverinë. Por, kjo parti bashkë me të njëjtët partnerë nuk i kanë numrat e mjaftueshëm për të zgjedhur presidentin e ri.
Pas fitores së 47.13 për qind të votave, ka reaguar kryeministri në detyrë i Kosovës, njëherit kryetari këtij subjekti, Albin Kurti.
Ai shprehet falënderues ndaj qytetarëve për besimin e dhënë e madje uron opozitën, për siç thotë, ‘rezultatet e korrura’.
“Vazhdojmë të jemi subjekti më i madh në vend e në Kuvend. Edhe një herë e përfaqësojmë shumicën shqiptare në parlament. I uroj të gjithë kandidatët që morrën besimin qytetar për të qënë përfaqësues politikë, si deputetë të Kuvendit të Kosovës sikurse uroj edhe subjektet opozitare për rezultatet e korrura”- tha Kurti.
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, deklaroi se si parti fituese janë të interesuar që pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të konstituohen sa më shpejtë institucionet e vendit.
“Nga viti i kaluar kemi humbur shumë kohë dhe është jetike që sa më parë të kemi Kuvend të konstituuar, Qeveri të re me mandat të plotë dhe president apo president të zgjedhur. Tash presim certifikimin e zgjedhjeve në mënyrë që të nisim punën në drejtim të formimit të institucioneve të reja”- potencoi Kurti.