Gjykata e Kombeve të Bashkuara në Hagë ka publikuar në faqen e tij të internetit të gjithë aktgjykimin e shkallës së parë me të cilin Jovica Stanishiq dhe Franko Simatoviq u dënuan me nga 12 vjet burg secili. Një pjesë e rëndësishme e këtij aktgjykimi flet edhe për kasapin e Ballkanit, Sllobodan Millosheviq.
Edhe pse në aktgjykim thuhet se Simatoviq dhe Stanishiq nuk ishin pjesëmarrës në Ndërmarrjen e Përbashkët Kriminale, u vërtetua se një nga pjesëmarrësit e kësaj ndërmarrjeje ishte Sllobodan Millosheviq, raporton mediumi kroat, Index.hr.
Në aktgjykim thuhet se nga gushti 1991 deri në dhjetor 1995 ekzistonte një Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale e cila nënkuptonte ekzistencën e një qëllimi të përbashkët kriminal që të hiqet me forcë dhe përgjithmonë, nëpërmjet kryerjes së krimeve të përndjekjes, vrasjeve, dëbimit dhe akteve çnjerëzore (transferim me forcë), shumica joserbe, kryesisht kroatë, boshnjakë dhe kroato-boshnjakë nga zona të mëdha të Kroacisë dhe Bosnje e Hercegovinës.
Ish-shefat e Shërbimit të Sigurisë Shtetërore Serbe (SDB) Stanishiq dhe Simatoviq u dënuan për ndihmë dhe mbështetje në përndjekje, vrasje, dëbim dhe transferim me forcë të boshnjakëve dhe kroatëve nga Bosanski Samac në vitin 1992. Sidoqoftë, gjykata konstatoi se ata nuk ishin pjesëmarrës në një ndërmarrje të përbashkët kriminale, ndryshe nga të tjerët, si kokat e krimeve të Serbisë, Sllobodan Millosheviq, Radovan Karaxhiq, Ratko Mlladiq, Momçillo Krajisnik, Biljana Plavshiq dhe Zhelko Raznatoviq Arkan.
“Dhoma Gjyqësore mori në konsideratë sjelljen dhe fjalët e anëtarëve të supozuar të Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale, politikën e ndarjes etnike dhe hapat e ndërmarrë për ta zbatuar atë në disa rajone. Dhoma Gjyqësore konstaton, megjithatë, se provat më bindëse që tregojnë ekzistencën e një qëllimi të përbashkët kriminal lidhen me një model sistematik të krimeve të kryera kundër civilëve joserbë në të gjitha rajonet e mbuluara nga Aktakuza”, thuhet në aktgjykim.
Dhoma Gjyqësore konstaton se është vërtetuar përtej dyshimit të arsyeshëm se të paktën nga gushti 1991 deri më 31 dhjetor 1995 kishte një qëllim të përbashkët kriminal për t’i hequr me dhunë dhe përgjithmonë ata që s’ishin serbë në zonat e Kroacisë dhe Bosnje e Hercegovinës, nëpërmjet kryerjes së krimeve të përndjekjes, vrasjeve, dëbimeve dhe sjelljeve çnjerëzore.
“Dhoma Gjyqësore konstaton se objektivi i përbashkët kriminal, siç u përcaktua më sipër, u nda nga udhëheqja e lartë politike, ushtarake dhe policore në Serbi, SAO Krajina, SAO SBWS dhe Republika Srpska, me anëtarët kryesorë që ndryshonin sipas zonës dhe kohës, e të cilët ishin Sllobodan Millosheviq, Radmilo Bogdanoviq, Radovan Stojiçiq, Mihalj Kertes, Milan Martiq, Milan Babiq, Goran Haxhiq, Radovan Karaxhiq, Ratko Mlladiq, Momçilo Krajisnik, Biljana Plavshiq, dhe Zheljko Raznatoviq Arkan”, thuhet ndër tjerash në aktgjykim.
Në qershor, Gjykata e Kombeve të Bashkuara në Hagë i dënoi me nga 12 vjet burgim dy ish-shefa të shërbimit të sigurimit shtetëror të Serbisë, të akuzuar për udhëheqjen e grupeve paraushtarake gjatë luftërave në ish-Jugosllavi, në vitet 1990.
Të dy kanë qenë bashkëpunëtorë të ngushtë të ish-presidentit serb, Sllobodan Millosheviq, i cili njihet si kasapi i Ballkanit, pasi organizoi lufta me përmasa gjenocidiale në Slloveni, Kroaci, Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë.
Millosheviqi ishte gjykuar po ashtu në Hagë, por kishte vdekur përpara se t’i shqiptohej dënimi, në vitin 2006.