Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj serbit G.M., i cili dyshohet se ka marrë pjesë në vrasjen e 109 të burgosurve dhe plagosjen e 108 të tjerëve në Masakrën e Dubravës në vitin 1999.
Sipas Prokurorisë, i pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale “Krimi i luftës kundër popullsisë civile”.
“I pandehuri akuzohet se me 22 maj 1999, ka marr pjesë në vrasjen e njëqind e nëntë (109) të burgosurve dhe në plagosjen e njëqind e tetë (108) të burgosurve të tjerë, që të gjithë të nacionalitetit shqiptarë, e njohur si ‘’Masakra e Dubravës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Hetimet, sipas Prokurorisë, kanë siguruar prova të mjaftueshme relevante juridike që dëshmojnë se i pandehuri në bashkëkryerje me persona të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë dhe ka kontribuar në kryerjen veprës penale për të cilën po akuzohet.
“Kjo çështje penale tashmë i ka kaluar në kompetencë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë për procedurë të mëtutjeshme”, vijon njoftimi.
I pandehuri gjendet nën masën e paraburgimit.
“Hetimet ndaj të pandehurve të tjerë janë duke vazhduar, në mungesë, pasi që të njëjtit janë të pa arritshëm për organet e rendit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.