Për gjendjen e sigurisë në veri të Kosovës, në Komisionin për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, ka raportuar drejtori i kësaj Agjencie, Petrit Ajeti.
Kryetarja e Komisionit, deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, pas mbledhjes që është mbajtur pa praninë e mediave, ka theksuar se Ajeti u ka thënë që gjendja e siguresë në veri është e qetë, por që ka mundësi të përshkallëzimit.
“Sa i përket gjendjes së sigurisë, mund të konstatojmë se, në bazë të asaj që dëgjuam nga drejtori, gjendja e sigurisë në veriun e Kosovës dhe në Kosovë në përgjithësi është e qetë, por gjithmonë me mundësi të përshkallëzimit”, ka thënë Musliu.
Ajo ka thënë se duhet pasur kujdes në veprime, në mënyrë që situata të mos provokohet.
“Ne duhet të jemi vigjilentë, të matur në çdo veprim që bëjmë atje, për të mos provokuar situatën. Deri më tani çdo gjë është nën kontroll dhe është duke funksionuar. Është e vërtetë që stacionet policore atje janë të boshatisura, mirëpo Policia e Kosovës është në krye të detyrës dhe po kujdeset për ruajtjen e rendit dhe qetësisë atje”, ka theksuar Musliu.
Ajo ka vlerësuar se institucionet e sigurisë së vendit janë në krye të detyrës dhe janë të gatshme për çdo provokim të mundshëm.
Musliu ka thënë se si Komision janë unik në qëndrime dhe se i kanë ofruar mbështetje drejtorit të AKI-së, për situatën e krijuar në vend.