Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, para nisjes së seancës për formimin e Qeverisë së re, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje s’i ka votat e nevojshme për të ngritur qeverinë.
Ai ka theksuar se VV-ja vetëm ka shfrytëzuar 15 ditë për qëllime që sipas tij përbëjnë një “shfaqje teatrale”.
“Sot, LDK-ja nuk pret asgjë, përveç faktit të konfirmimit që janë humbur 15 ditë, duke e ditur dhe pritur rezultatin e njëjtë. Pra, Lëvizja Vetëvendosje e ka ditur që nuk i ka numrat, e ka ditur që e kemi një krizë, e kemi paralajmëruar që kemi një krizë, dhe sërish kanë vendosur që të na i shfrytëzojnë 15 ditë”, tha Abdixhiku.
Ai shtoi se ky shpenzim kohe ishte i dedikuar vetëm për një qëllim politik.
“Gjithë ky shpenzim kohe është bërë për një qëllim, për shfaqje teatrale. Dhe nëpërmjet një shfaqje teatrale të tillë me disa kundërshtarë imagjinarë, përgatitën material për fushatë elektorale”, tha kreu i LDK-së./Sinjali
