Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka marrë përgjegjësinë për dështimin që partia e tij e ka pësuar në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Ai ka njoftuar se do ta ftojë Kuvendin e partisë për të shqyrtuar “të gjitha çështjet dhe përgjegjësitë si kryetar”.
“Rezultati i LDK-së nuk është ai që e kemi pritur. Nuk është ai që unë si kryetar kam dëshiruar ta shoh ndonjëherë. Ky është një moment reflektimi i thellë, i përgjegjësisë dhe i seriozitetit politik. Kur qytetarët e Kosovës flasin ne duhet t’i dëgjojmë, kur populli jep verdiktin e vet, ne patjetër duhet ta respektojmë. Demokracia funskionon kur udhëheqësit mbajnë përgjegjësi, jo vetëm kur fitojnë dhe kur kanë festë, por edhe kur kanë humbje si kjo e sotmja. Këto 5 vite që kam udhëhequr me Lidhjen Demokratike të Kosovës, kam bërë dhe kam vepruar gjithmonë ashtu siç kam besuar se është më e mira për LDK-në, për strukturat tona, për besimin e qytetarëve dhe për të ardhmen e kësaj shtëpie politike me peshë të madhe historike për Kosovën. Megjithatë, sot duhet ta them hapur dhe me ndërshmëri, nuk kam arritur ta çoj LDK-në aty ku kam besuar se duhet të jetë” – u shpreh ndër tjerash Abdixhiku gjatë një konference për media sonte.
