Mallin për ta takuar opozitën kryeministri Kurti synon ta shuajë të martën, kur edhe i ka ftuar udhëheqësit e partive kryesore për një takim. Diskutimi do të jetë për dialogun e Brukselit pas arritjes së pajtimit që Serbia t’i heqë nga përdorimi dokumentet hyrje-dalje për shtetasit e Kosovës.
Paralajmërimin për ta informuar opozitën Kurti e dha javën e kaluar teksa komentoi takimin që liderët e opozitës e zhvilluan me emisarin e ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
“Është e vërtetë që nuk e kam takuar opozitën prej se kuvendi ka shkuar në pushim veror dhe nuk besoj që duhet të kthehemi nga pushimet që të takohemi. E pashë që pos meje, edhe Gabriel Escobarin e kishte marrë malli për opozitën edhe mua më ka marrë malli për opozitën. Është mirë që edhe opozita e Kosovës t’i dëgjojë drejtpërdrejt qëndrimet e ndërmjetësve ndërkombëtarë, atyre evropianë dhe amerikanë në lidhje me dialogun që po zhvillohet. Meqë po i afrohemi sesionit vjeshtor, është mirë që të takohemi për shumë çështje”, kishte deklaruar Kurti më 25 gusht.
Ftesës së Kurtit, të hënën i është përgjigjur pozitivisht kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe ai i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Abdixhiku ka thënë se dy javë pas takimit në Bruksel, kryeministri ka zgjedhur të informojë spektrin politik në vend duke shtuar se këtë qasje të mbyllur e kanë kritikuar gjithherë edhe kur ky kryeministër ndante opozitën me ta.
“Qëndrimi ynë për dialogun është i qartë dhe i pandryshueshëm. Ne besojmë se dialogu është interes kombëtar i Kosovës, dhe jo prioritet i fundit, siç besoj ta ketë mësuar kryeministri tashmë. Besojmë se nëpërmjet dialogut Kosova duhet të arrijë drejt marrëveshjes finale me njohjen reciproke në thelb të saj. Po ashtu, besojmë se dialogu i copëzuar, për tema teknike e jo për kornizën e gjithmbarshme, është në interes të Serbisë edhe atëherë kur arrihen fitore të pjesshme për ne. Sot Kosova duhet të ulet e insistojë për marrëveshjen finale, me SHBA-të dhe BE-në si garantuese të saj”, ka shkruar Abdixhiku në “facebook”.
“Është detyrë e kryeministrit të ushtrojë kompetencat e tij kushtetuese në përmbylljen e këtij procesi vital për shtetin tonë. LDK do të mbështesë çdo marrëveshje finale që plotëson të tri kriteret e padiskutueshme: 1) respektimin e plotë të Kushtetutës së Kosovës; 2) ruajtjen e integritetit territorial të vendit; dhe 3) sigurimin e njohjes reciproke. Këtë qëndrim do t’ia bëjë të qartë kryeministrit Kurti”.
E, Haradinaj ka thënë se për tema me interes nacional nuk ka dallime partiake.
“I jam përgjigjur pozitivisht ftesës së Kryeministrit Kurti, për një bashkëbisedim lidhur me takimet e fundit që janë zhvilluar në Bruksel. Për mua dhe Aleancën, çështja e dialogut për njohje, gjithmonë ka qenë çështje mbipartiake. Këtë përcaktim e kam pasur edhe gjatë kohës sa e kam udhëhequr qeverinë e vendit. Gjithmonë kam konsideruar se për tema të interes nacional, nuk ka qeveri dhe opozitë. Të gjithë e kanë pjesën dhe rolin e tyre”, ka shkruar Haradinaj në “facebook”.
“Megjithëse nuk mund ta lë pa e përmendur se Aleancën si parti, por edhe Opozitën në tërësi, kryeministri Kurti këtë herë i kishte përjashtuar nga çfarëdo konsultimi, apo edhe më keq, informimi, lidhur me atë se çfarë ka ndodhur në Bruksel. U jam mirënjohës të dërguarit amerikan Escobar, ambasadorit amerikan në Prishtinë, Hovenier, si dhe përfaqësuesit të BE Lajçak, për angazhimin e tyre të jashtëzakonshëm, por edhe për faktin se në baza ditore na kanë mbajtur të informuar për krejt çfarë ka ndodhur në Bruksel”.
Ndërkaq kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, përmes një përgjigje që i ka kthyer kryeministrit ka thënë se nuk do t’i shkojë në takim.
“Aktualisht, e tëra që po shohim është se dialogu ka rrëshqitur në nivel teknik, duke përfshirë riciklimin e marrëveshjeve të kaluara. Sa i takon zbatimit të përgjegjësive që keni si udhëheqës i Dialogut, unë ju inkurajoj që të vazhdoni angazhimin tuaj dhe te qeverisë për respektim të vendimeve të ligjshme që sigurojnë reciprocitet në raport me Serbinë, si dhe sundim të ligjit dhe lëvizje të lirë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Por, nuk konsideroj se në këtë moment ka një situatë emergjente për t’u takuar e për të diskutuar për këto përgjegjësi tuajat. Megjithatë, unë mbetem i hapur dhe i gatshëm që të takohem me ju në momentin kur të ketë avancim të procesit të Dialogut dhe diskutim konkret për arritjen e marrëveshjes finale, që ka për qëllim njohjen e ndërsjellë”, ka thënë Krasniqi. Ai ka shtuar se qëndrimi i Partisë Demokratike mbetet i njëjtë dhe konsistent, “në mbështetje të Dialogut, të fokusuar në arritjen e marrëveshjes finale, që sjell njohjen e ndërsjellë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë dhe që mundëson anëtarësimin e Kosovës në OKB, NATO dhe BE, duke ruajtur sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit”.
Takimi i Kurtit me një pjesë të opozitës vjen disa ditë pasi Kosova dhe Serbia u morën vesh që të heqin dorë nga lëshimi i dokumentit për hyrje-dalje për shtetasit e vendeve përkatëse.