Megjithëse Ministria e Ekonomisë kishte njoftuar se është rikthyer furnizimi i rregullt me energji elektrike, pas një marrëveshjeje të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë, qytetarët në disa pjesë të vendit edhe sot janë përballur me reduktime të rrymës.
Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike (KEDS) nga mëngjesi iu ka dërguar mesazhe konsumatorëve në aplikacionin mobil rreth orarit të ndërprerjes së rrymës, që kryesisht zgjasin vetëm dy orë.
Në disa raste qytetarëve iu është ndërprerë rryma nga ora 12:00, e disave pritet të iu ndërprehet në orët në vijim.
Sipas ME-së, furnizimi po bëhet vetëm nga prodhimi vendor për shkak të çmimit të lartë të energjisë në bursat ndërkombëtare të energjisë, ku pjesa tjetër po importohet.
“Falë kësaj pune dhe bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë, përkatësisht Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe Korporatës Elektroenergjitike të Shqipërisë (KESH) është arritur që të evitohen reduktimet që nga ora 14:00 [15 gusht] dhe të vazhdojë furnizimi i rregullt me energji elektrike”, kishte njoftuar ME-ja.
Sipas ministrisë, prodhimi ditor i rrymës në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) aktualisht është 507MWh në orë, kurse kërkesa për konsum është deri në 750MWh në orë.
Çmimi i energjisë në bursën hungareze (HUPX) është rreth 430 euro për MWh. /Telegrafi/